Një sërë kritikash dhe mangësish në aspekt të respektimit të të drejtave të njeriut nga institucionet e shtetit, adresoi Avokati i Popullit gjatë prezantimit të raportit të tij për vitin e kaluar para deputetëve në Kuvend. Avokati i Popullit Naser Ziberi konstatoi se nga shkeljet e konstatuara, numri më i madh gjegjësisht 67 ishin për sektorin e drejtësisë, ku pjesa më e madhe për përmbaruesit. Ziberi përmendi edhe ping-pongut mes gjykatave në procedurat e qytetarëve, njëri prej të cilave për denacionalizim, po zgjat më shumë se 20 vjet. Ziberi kërkoi dixhitalizimin e institucioneve për dhënien e dokumenteve më shpejt për qytetarët në mënyrë elektronike.
E ndër vërejtjet më të theksuara të këtij institucioni vazhdon të jetë gjendja e burgjeve dhe mbipopullimi i tyre.
“Fusha ku nuk ka përparim, por e kundërta, ka kthim pas janë edhe kushtet në burgje të cilat edhe më tej janë skajshmërisht johumane, degraduese dhe nën çdo dinjitet njerëzor kurse mbrojtja shëndetësore për këto persona, edhe përskaj ankesave të njëpasnjëshme, mbetet e pandryshuar. Gjithashtu shteti edhe në vitin 2023 nuk e zbatoi detyrimin që të sigurojë proces arsimor për fëmijët në shtëpitë edukative korrektuese në Vollkovë”, deklaroi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
Duke folur për shkeljen e të drejtave të fëmijëve, Ziberi theksoi disa nga shkeljet më flagrante në shkolla dhe nga institucionet tjera.
“Shqetëson fakti që shteti edhe në vitin e raportit nuk e siguroi të drejtën e garantuar kushtetuese të fëmijëve shqiptar për të mësuar në gjuhën amtare në dy shkolla fillore në Shkup, një në Çashkë dhe një shkollë të mesme në Veles. Kur flas për të drejtat e fëmijëve, duhet ta theksoj edhe problemin me fëmijët në rrugë që lypin dhe të cilët për këtë arsye janë jashtë sistemit arsimor me të cilën gjë u vendoset në pikëpyetje ekzistenca dhe perspektiva e tyre. Sipas të dhënave të MASH-it gjithsej 51 libra deri në fund të vitit 2023 kanë qenë në procedurë miratimi, shtypi dhe dorëzimi, gjë që është e patolerueshme dhe në kundërshtim me ligjin, sepse librat duhet të jenë gati dhe të shpërndarë në fillim të vitit shkollor”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
OBRM-PDUKM-ja nga salla e Komisionit për sistem politik kritikoi LSDM-në që si përgjegjëse për gjendjen e shkaktuar me të drejtat e njeriut, nuk mori pjesë në komision dhe në debat.
“Si Kuvend duhet të japim më shumë mbështetje dhe logjistikë për më shumë organe hetuese sepse e shohim se nuk ka asnjë aspekt të shëndoshë në këtë shoqëri, nuk ka institucion që lavdërohet, nuk ka njeri që ka punuar me përgjegjësi dhe nderë ndaj atyre prej ku e kërkuar mbështetjen dhe nuk janë askund, ikin nga Kuvendi sepse jo vetëm që duhet të turpërohen por me ikjen tregojnë se asnjë leksion nuk e kanë mësuar”, theksoi Lupço Prenxhov, deputet i OBRM-PDUKM-së dhe koalicionit.
“Vitin e kaluar nga këndvështrimi i Avokatit të Popullit mund ta karakterizojë ajo që për herë të parë në rajon por ndoshta edhe në botë, të punësuarit e këtij institucioni dolën në grevë sepse institucionet e sistemit, thjeshtë refuzonin të bashkëpunonin me to, ashtu siç ishte rasti edhe me Komisionin kundër korrupsionit”, u shpreh Bojan Stojanovski, OBRM-PDUKM.
Ziberi kërkoi nga deputetët të bëhen ndryshimet ligjore të kërkuara edhe nga institucionet Evropiane dhe Avokati i Popullit të marrë statusin A si institucional nacional për mbrojtjen e të drejtave të njeriut./Alsat/
The post Raporti për Avokatin e Popullit në Kuvend, kritikohen institucionet në RMV appeared first on Telegrafi.