Të gjithë bartësit e funksioneve publike janë nën vëzhgimin e Antikorrupsionit. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit bën raport nëse dhe cilët bartës të funksioneve publike kanë kryer veprimtari partiake gjatë orarit të punës në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale. Aktivitetet politike në orarin e punës bien ndesh me kodin e etikës së qeverisë. Kryetarja e Komisionit kundër korrupsionit, Biljana Ivanovska, thotë se deri më tani kanë konstatuar shkelje, por do të dihen pas publikimit të raportit, shkruan Alsat.
“Kemi qenë dëshmitarë të disa situatave kur gjatë punës janë kryer aktivitete partiake, janë përdorur vetura zyrtare e kështu me radhë… Këto shembuj ne do t’i përmendim në atë raport, që do të thotë se ata vetë nuk e respektojnë kodin etik”- deklaroi Biljana Ivanovska – kryetare e KSHPK.
Pyetëm në kabinetin e zëvendëskryeministrit Lupço Nikollovski, nëse dhe sa persona e kanë shkelur kodin etik gjatë fushatës zgjedhore? U përgjigjën se Nikolovski para zgjedhjeve i ka njoftuar të gjithë zyrtarët publikë që ta ndajnë veprimin partiak nga ai publik.
“Deri më tani në zyrën e zëvendëskryeministrit Nikollovski nuk ka ardhur njoftim se ka shkelje të Kodit të Etikës.”-thonë nga Kabineti i Nikollovskit
Antikorrupsioni megjithatë, e qorton Nikollovskin edhe për pozitat e tij në Qeveri dhe në partinë LSDM. Nga njëra anë, Nikollovski ka kontrolluar se kush e respekton Kodin Etik dhe nëse e ka vendosur partinë para funksioneve publike, e në ndërkohë ishte shef i shtabit qendror të LSDM-së për zgjedhjet lokale. Antikorrupsioni në pozitat e këtilla të Nikollovskit sheh konflikt interesi.
“Edhe këtu shohim konflikt interesi sepse shefi i fushatës së partisë politike LSDM ka qenë zëvendëskryeministri, i cili nga ana tjetër është i angazhuar për zbatimin e kodit etik. Pra, disi sikur janë të ndërthurura ato aktivitete, gjë që nuk duhet të jetë”, pohoi Biljana Ivanovska – kryetare e KSHPK.
The post Raporti mbi zgjedhjet e fundit në Maqedoni: Aktivitete partiake me makina zyrtare appeared first on Telegrafi.