Kreu i qeverisë së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot kanë folur në Ohër për ndikimet e “Ballkanit të Hapur” në ekonomi dhe në jetën e qytetarëve në tre vendet, duke treguar se sa e mirë është kjo nismë për qytetarët dhe bizneset e vendeve pjesmarrëse në këtë union ballkanik, njofton Telegrafi Maqedoni.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut mes tjerash tha se kjo nismë ballkanike ka shërbyer për ndihmë të ndërsjellë mes shteteve në fatkeqësi.
“‘Ballkani i Hapur’ tashmë ka nisur t’i jep frytet e suksesshme me vijën e gjelbër nëpër kufi, duke zvogëluar pritjen dhe duke përshpejtuar ekonominë. Këtë verë ne e vërejtëm ndikimin e kësaj shoqërie ballkanike, duke marrë ndihmë dhe duke ndihmuar shtetet mike të kësaj organizate. Ne jemi këtu për të përmirësuar konkurrencën dhe standardin e bizneseve. ‘Ballkani i Hapur’ mori mbështetjen e të gjithëve në rajon dhe partnerëve tanë. Kemi edhe lëvdata edhe kritika për këtë nismë. Ne me këtë samit sot do të ecim me hapa të mëdhenj duke njohur diplomat e tre shteteve. Gjithashtu, do të përforcojmë fuqinë punëtore mes shteteve për të penguar ikjen e të rinjëve. Botës do t’ja ofrojmë një bukuri bregdetare të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për Maqedoninë e Veriut, ‘Ballkani i Hapur’ është mundësi për zhvillim” tha mes tjerash Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama para të pranishmëve në ‘Ballkanin e Hapur’ ka thënë se kjo nismë ndihmon që të zgjidhen problemet e pazgjidhura duke qenë më afër. Ai gjithashtu ka përmendur edhe marrëdhënien speciale mes Serbisë dhe Rusisë dhe konfliktin e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Ne duhet të flasim hapur në “Ballkanin e Hapur”. Lufta në Ukrainë e bën “Ballkanin e Hapur” më të rëndësishëm dhe të hapur, edhe pse disa mendojnë ndryshe. Mbrëmë kam takuar ambasadorin Chris Hill, i cili është dëshmitari më i madh për domosdoshmërinë e kësaj nisme. Jam shumë i lumtur për Dritanin e Malit të Zi dhe Zoranin nga Bosnja. Gjithashtu jam i lumtur për eurokomisionerin Varhely dhe mikun tonë Escobar. Përtej të gjithë miqve dhe partnerëve, ‘Ballkani i Hapur është i rëndësishëm për njerëzit tanë. Kjo nismë do të ketë në dorë fatet tona në të ardhmen. Tashmë dihet ndikimi i ‘Ballkanit të Hapur’ pasi ne nga lufta në Ukrainë, kemi mësuar se Rusia dhe Serbia kanë një të kaluar speciale dhe mes Serbisë dhe Kosovës ka një konflikt të pazgjidhur. Jemi të bindur se problemet e pazgjidhura zgjidhen nëse afrohemi. Krizat në bujqësi, ushqim dhe energji, nuk zgjidhen me konflikt por me marrëdhënie dhe me diskutim” ka thënë Edi Rama.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në samitin e “Ballkanit të Hapur” ka folur për fqinjësi të mirë, duke thënë se ata që nuk janë pjesë nuk do të luten të marrin pjesë, por ata do të vijnë nëse e shohin të nevojshme për ekonominë e tyre
“Jemi këtu për të zgjidhur probleme të vjetra dhe për të shikuar të ardhmen për të qenë më fortë së bashku. Kjo nismë është shumë e mirë për ata që duan të zhvillohen. Të tjerët janë të mirëpritur. Grupet e punës në këtë samit janë duke pritur mbështetjen edhe shteteve tjera. Me këtë samit ne i bashkojmë forcat për të përballur një dimër të rëndë që na pret. Diplomat e qytetarëve tanë dhe turizmi jonë i përbashkët është tashmë një temë që jemi duke e përmbyllur”, u shpreh Vuçiq.
Pas fjalimeve të Ramës, Vuçiqit dhe Kovaçevskit, kanë folur edhe eurokomesari për zgjerim, Oliver Varhely, zëvendës-ndihmës sekretari i SHBA-ve, Gabriel Escobar, Dritan Abazoviq duke përfaqësuar Malin e Zi dhe Zoran Tegeltija nga Bosnja dhe Herzegovina.
Pas fjalimeve zyrtare do të pasojn panel sesione për turizëm dhe kulturë. /Telegrafi/
The post Rama, Vuçiq dhe Kovaçevski e vlerësojnë “Ballkanin e Hapur” si mundësi për të ardhmen appeared first on Telegrafi.