Qindra mjekë largohen nga Maqedonia e Veriut

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Rexhail Ramadani nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut është një nga mantelbardhët që e ka braktisur vendlindjen, për të ushtruar profesionin e mjekut në Gjermani. Ai për Radion Evropa e Lirë thotë se nepotizmi, ndërhyrja e politikës në përzgjedhjen e atyre që do të shkojnë në specializim, ishin arsyet kryesore që e detyruan ta braktiste vendin.

“Nuk m’u ofrua një vend pune si mjek, nuk m’u dha mundësia për të specializuar, në shumë konkurse për punësim u eliminova. Kjo përpjekje e imja zgjati pesë-gjashtë vjet, pastaj kam filluar të specializoj për mjekësinë interne privatisht, edhe pse në Maqedoninë e Veriut kjo kushton 8 mijë euro dhe pagesa nga xhepi për mua ishte një shumë tejet e madhe”, thotë Ramadani.

Ai tregon se i duhej që të punonte si profesor në Shkollën e Mesme të Mjekësisë për t’i mbuluar shpenzimet e specializimit.

Ramadani thotë se për këtë arsye, në vitin 2015, vendosi që karrierën e tij si mjek ta ndërtojë në Gjermani, ku, siç thotë, suksesi nuk ka qenë i varur nga mbështetja politike, por aftësitë profesionale që ka treguar me punën si mjek.

Advertisement

“Fillimi ishte i vështirë, pasi duhej ta mësoja mirë gjuhën gjermane, pastaj, si çdo fillim, vjen me një sistem krejtësisht tjetër, pasi sistemi këtu [në Gjermani] funksionon ndryshe dhe duhej të adaptohesha me një dinamikë tjetër të punës. Por, çdo vështirësi i ka dhe benefitet e veta, pasi këtu arrita të avancohem shumë, duke punuar me shumë pacientë. Njëherësh, këtu janë të gjitha metodat e diagnostikimit, pastaj të krijohet mundësi të ndjekësh më shumë seminare dhe kjo të ndihmon që vazhdimisht të avancohesh në profesion”, thotë Ramadani, i cili tash e tetë vjet punon si mjek në Gjermani.

Autoritetet zyrtare në Maqedoninë e Veriut nuk disponojnë numrin e saktë të mjekëve që kanë ikur nga ky vend.

Por, nga Oda e Mjekëve bëjnë të ditur se brenda pesë vjetëve – nga viti 2017 deri më 2022 – gjithsej 568 mjekë kanë kërkuar vërtetim se ndaj tyre nuk zhvillohet asnjë procedurë para Gjykatës së Nderit.

Ky vërtetim u nevojitet të gjithë atyre që shkojnë për specializim jashtë vendit, por edhe atyre që largohen përfundimisht nga Maqedonia e Veriut.

Advertisement

Nga Oda e Mjekëve, gjithashtu, bëjnë të ditur se nga viti 2012 deri në vitin 2016, me vërtetimet e njëjta janë pajisur më shumë se 600 mjekë.

Mungesa e mjekëve specialistë, viteve të fundit, ndihet në shumë qendra spitalore të qyteteve të Maqedonisë së Veriut.

Nikolla Brzanov, kryetar i Klubit të Mjekëve të Rinj, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka vendosur të qëndrojë në Maqedoninë e Veriut, megjithëse akoma ka shumë dilema nëse ka bërë zgjedhjen e duhur.

Ai thotë se rrugëtimi drejt marrjes së licencës dhe kryerjes së specializimit ka qenë shumë i vështirë për të.

Advertisement

“Së fundmi më duhet të pranoj se janë përmirësuar kushtet për specializim, në aspektin se mjekët e rinj marrin të ardhura në nivelin e një page mesatare derisa janë në specializim. Por, kushtet për punësim, edhe më herët, edhe tani janë të njëjta, kriteri parësor mbetet nepotizmi”, thotë Brzanov.

Ai shton se nëpërmjet Klubit të Mjekëve të Rinj angazhohet që të drejtojë nevojat dhe kërkesat tek autoritetet që t’i përmirësojnë kushtet për punë dhe njëherësh edhe pagat, në mënyrë që mjekët ta shohin të ardhmen e tyre në Maqedoninë e Veriut.

“Lufta edhe më tej vazhdon, përmes Klubit të Mjekëve të Rinj përpiqemi që të përmirësojmë të ardhmen e studentëve të mjekësisë dhe mjekëve të ardhshëm”, thotë Brzanov.

Sipas tij, autoritetet bëjnë zgjidhje të shpejta “sa për të qenë të dukshme kur ato janë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë”, por “pa një strategji afatgjate” që do të sillte rezultate të qëndrueshme në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

Advertisement

Autoritetet shtetërore, në anën tjetër, thonë se mbeten maksimalisht të angazhuara në përmirësimin e kushteve për punë.

“Prioritet i punës sime si ministër do të jetë, para së gjithash, preventiva dhe qasja e barabartë në shërbime shëndetësore, si dhe rritja e fuqizimi i kapaciteteve në sistemin shëndetësor dhe udhëheqja e mirë, por edhe koordinimi dhe konsistenca në avancimin dhe zbatimin e politikave të punës së vlefshme. Përveç kësaj, pa asnjë kompromis, do të angazhohem në përmirësimin e statusit dhe kushteve, në të cilat funksionojnë punëtorët shëndetësorë dhe personeli mjekësor”, është zotuar ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, i cili këtë detyrë e mori në fillim të këtij viti, pas ristrukturimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Mjekët pajtohen se janë bërë disa hapa pozitivë në përmirësimin e kushteve për punë dhe shërbimeve mjekësore, por shtojnë se sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut ende lë shumë për të dëshiruar.

Si shumë problematike e fokusojnë dallimin e madh mes institucioneve private që, sipas tyre, kanë kushte shumë më të mira kundrejt institucioneve shtetërore./REL/

Advertisement

The post Qindra mjekë largohen nga Maqedonia e Veriut appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy