Propozim-buxheti për vitin 2024 është dërguar në Kuvend dhe duhet të shqyrtohet në Komisionin amë për financim dhe buxhet.
Sipas të dhënave në ueb-faqen e Kuvendit, propozim-buxheti është dërguar të mërkurën pasi që të martën në Qeveri e prezantuan ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Propozim-buxheti për vitin e ardhshëm peshon 5,5 miliardë euro. Qeveria e karakterizoi si Buxhet zhvillimor dhe të qëndrueshëm i cili i ka të gjitha karakteristikat që njëkohësisht ta mbështetë zhvillimin, por edhe ta sigurojë qëndrueshmërinë fiskale.
Me të, sipas Qeverisë, garantohet pagesa e rregullt e rrogave, pensioneve dhe ndihmës sociale, si dhe shlyerja e nevojave të tjera të qytetarëve dhe shërbimi i obligimeve të shtetit.
Sipas ministrit të Financave, në Propozim-buxhet janë planifikuar para për pensione dhe rroga më të larta në sektorin publik, me përjashtim të rrogave të funksionarëve.
Ana e shpenzimeve është projektuar në 343,6 miliardë denarë apo për 5,8 për qind më e lartë në raport me vitin 2023, ndërsa të ardhurat në 310,1 miliardë denarë dhe janë më të larta për 10 për qind. Deficiti buxhetor është për rreth 9,2 miliardë denarë më i ulët në rpaort me vitin 2023. Pritet rritja e ekonomisë të jetë 3,4 për qind, ndërsa shkalla e inflacionit është projektuar në 3,6 për qind.
Sipas opozitës, Propozim-buxheti është pompuar dhe nuk sjell zhvillim, por krim dhe korrupsion. Nga atje vlerësuan se pushteti prej vitit 2018 e deri më sot ka shpenzuar 25 miliardë euro nëpër buxhete, por nuk ka bërë asgjë.
The post Propozim-Buxheti për vitin 2024 në Maqedoni: 5.5 miliardë euro për zhvillim dhe qëndrueshmëri fiskale appeared first on Telegrafi.