Po përfundon hetimi i organeve hetimore bullgare për aksidentin tragjik të autobusit që ndodhi në Bullgari gati dy muaj më parë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Prokuroria bullgare tha për “Kanal5″ se për zbardhjen e shkakut të aksidentit është mbledhur dokumentacion i gjerë dhe një sasi e madhe provash. Zëdhënësja e kryeprokurores, Sijka Mileva, nuk ka dashur të komentojë të gjeturat e hetuesve dhe prokurorëve se çfarë ka ndodhur saktësisht natën e 23 nëntorit.
Ajo tha se do të dërgojnë kërkesë për ndihmë juridike në Maqedoni dhe më pas prokurorët kompetentë do të përgatisin aktakuzë pas së cilës do të informojnë për rezultatin.
“E vetmja gjë që mbetet është dërgimi i kërkesës për ndihmë juridike në Maqedoni për të njoftuar dhe njohur përfaqësuesit e palëve të dëmtuara me mundësinë sipas ligjit bullgar për të ngritur padi civile në procedurë dhe për t’u njohur me materialet rreth gjithë procedurën”, tha Sijka Mileva – Zëdhënëse e Kryeprokurorit.
Njëkohësisht me hetimin bullgar, Prokuroria e Shkupit është duke vepruar në një rast lidhur me funksionimin e kompanisë “Besa Trans”, si dhe me veprimet e organeve të tjera kompetente. Nga aty nuk japin detaje për të mos dëmtuar hetimin. Ata thonë vetëm se ende po mblidhen dokumentacioni i nevojshëm.
Pas aksidentit, institucionet Maqedonisë dolën me informacion se autobusi i “Besa Trans” me dokumente të pavlefshme apo të falsifikuara po transportonte dhe kalonte kufijtë dhe deri më tani për rastin janë suspenduar dy doganierë pasi nuk kanë regjistruar daljen autobusi nga vendi, u sanksionua udhëheqësi i tyre.
Në aksidentin e autobusit në autostradën “Struma” humbën jetën 45 persona, mes të cilëve 12 fëmijë, ndërsa shtatë të tjerë u lënduan. Ata po ktheheshin nga një udhëtim turistik në Turqi./Telegrafi/
The post Po përfundon procedura hetimore për aksidentin tragjik në Bullgari ku humbën jetën 45 udhëtarë appeared first on Telegrafi.