Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut Sllavjanka Petrovska, e ka dënuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe ka thënë se populli i RMV-së solidarizohet me ukrainasit.
Petrovska, së bashku me ambasadoren amerikane Kate Marie Byrnes, sot ishin së bashku në kazermën Ilinden, ku përshëndetën përfundimin e trajnimit të përbashkët të forcave speciale amerikane me Armatën e Maqedonisë së Veriut.
“Kjo tregon unitetin dhe aleancën tonë të fortë, e cila është veçanërisht e rëndësishme tani që Rusia ka sulmuar në mënyrë të vrazhdë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Ne dënojmë fuqishëm agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe qëndrojmë të bashkuar me aleatët e NATO-s duke i bërë thirrje Rusisë të ndërpresë armiqësitë që kërcënojnë sigurinë e Evropës. Qytetarët maqedonas qëndrojnë në solidaritet me qytetarët e Ukrainës”, tha Petrovska.
Ajo shtoi se siguria e vendit tonë është e garantuar, ndërsa siç tha, opinioni duhet të jetë i sigurt se lidershipi i shtetit po monitoron nga afër situatën dhe po merr të gjitha masat për garantimin e sigurisë.
The post Petrovska për situatën në Ukrainë: Siguria e Maqedonisë së Veriut është e garantuar appeared first on Telegrafi.