Maqedonia dhe Kosova kanë formuar grup pune i cili do ta ndjek situatën epidemiologjike. Në këtë grup pritet të kyçen edhe vendet tjera të rajonit. Këtë e bëri të ditur ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, pas takimit që realizoi me homologun e tij kosovar, Armend Zemaj.
“Ishte një takim shumë i frytshëm. Këmbyem shumë informata lidhur me pandeminë dhe bashkëpunimin e mundshëm në fushën e shëndetësisë. U morëm vesh për disa gjëra konkrete, janë të njohur anëtarët e grupeve punuese nga dy vendet tona, presim dhe vendet tjera të rajonit, që do të punojnë në këmbimin e informatave për situatën epidemiologjike. Kjo do të na ndihmoj për të pasur një pasqyrë më të qartë rreth epidemisë dhe në bazë të kësaj do të vendosim edhe për regjimin e lëvizjes së lirë. Por për vendimin sa i përket hapjes së kufirit do të vendosim javën që vjen”, tha Venko Filipçe.
Ndërkohë ministri kosovar i shëndetësisë, Armend Zemaj tha se gradulaisht me përmirësimin e situatës do të shqyrtohet edhe hapja e kufijve.
“Jemi në një fazë të cilën edhe si vende të rajonit, si dy vende fqinje po mundohemi që ta kalojmë dhe menaxhojmë sa më mirë situatën me pandeminë si diçka globale që ka përfshi gjithë botën por edhe dy vendet tona. Takimi ka të bëjë me zhvillimin e shëndetësisë”.
“Biseduam për shumë gjëra, situata epidemiologjike na mori pjesën më të madhe të kohës. Ju e dini që jemi në një kohë kur po hyjmë në përgatitjet e vitit të ri shkollor, i shkëmbyem këto përvoja, gjatë kësaj jave dhe javës tjetër do të kemi bisedime edhe për çështjen e kufijve” tha Armend Zemaj, ministër i shëndetësisë së Kosovës.
The post Përfundoi takimi Filipçe-Zemaj: Javën e ardhshme do të bisedohet për kufijtë appeared first on Telegrafi.