Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, ka folur në lidhje me aplikimet e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO.
Pendarovski përshëndet këtë veprim të këtyre shteteve, ndërsa thotë se vendet me traditë ushtarake neutrale, vendosin ta ndryshojnë këtë qëndrim, për shkak të siç thotë, “në dyert e Evropës sërish troket rreziku i luftërave të reja”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“E mirëpres këtë vendim dhe mbështes anëtarësimin e shpejtë të vendeve që padyshim do të kontribuojnë në sigurinë kolektive. Është një vendim i vendeve sovrane që kanë të drejtën e vendimeve të tyre, veçanërisht kur bëhet fjalë për mirëqenien e qytetarëve të tyre. Maqedonia e Veriut, si anëtarja më e re e aleancës më të fuqishme ushtarako-politike, ka nderin të ndjekë një politikë të dyerve të hapura me partnerët tanë, Finlandën dhe Suedinë, veçanërisht duke pasur parasysh kontekstin politik, të sigurisë dhe gjeografik”.
“Me anëtarësimin e plotë të Suedisë dhe Finlandës, NATO do të forcohet veçanërisht në krahun e saj lindor, prej nga vijnë sfidat më të mëdha, që është rasti me agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës. Gjithashtu, marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me këto dy vende mike do të fitojnë intensitet edhe më të fortë përmes aleancës së ardhshme, e cila forcon bashkëpunimin e partneritetit në fushat me interes të përbashkët, duke përfshirë mbështetjen e tyre parimore për një tjetër aleancë brenda Evropës”, ka thënë Pendarovski.
The post Pendarovski: Rreziku i luftërave të reja po troket sërish në derën e Evropës appeared first on Telegrafi.