Bashkëpunimi intensiv ekonomik, paketa rajonale e masave për rikuperimin socio-ekonomik nga pandemia Kovid-19, janë ndër përfundimet e diskutimit të liderëve dhe pjesëmarrësve nga gjashtë vende të rajonit në samitin e sotëm virtual, të organizuar nga Këshilli Atlantik i SHBA-së kushtuar integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor, në të cilin mori pjesë presidenti Stevo Pendarovski.
Siç kumtoi Kabineti i presidentit, pjesëmarrësit ranë dakord që përmes bashkëpunimit të përforcuar ekonomik, lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, do të kontribuhet në rimëkëmbjen më të shpejtë socio ekonomike të rajonit, rritjen e konkurrencës së tij dhe do të jetë më tërheqës për hyrjen e investuesve të huaj.
Në fjalimin e tij, presidenti Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut i mbështet plotësisht propozimet për bashkëpunim rajonal dhe në lidhje me këtë theksoi se agjenda ekonomike duhet të ketë përparësi ndaj çështjeve politike ose të sigurisë, të cilat një kohë të gjatë kanë qenë çështje diskutimi në rajon.
Ai shtoi se nismat e reja duhet të jenë të kompletuara me ato ekzistuese dhe të jenë të lidhura ngushtë me kornizën institucionale për bashkëpunim në Bashkimin Evropian. Ai gjithashtu theksoi se ne nuk duhet të lejojmë që integrimi evropian të mbetet i largët, sepse situata ku nuk ka përparim në rrugën evropiane nuk është e favorshme për zhvillimin e Ballkanit.
Presidenti shtoi se nismat ekonomike janë shumë të rëndësishme sepse ato mund të ndihmojnë në trajtimin e emigrimit masiv të njerëzve nga Ballkani. Bashkëpunimi rajonal mund të kontribuojë ndjeshëm në përmirësimin e parametrave ekonomikë të vendeve, për ta bërë më të lehtë përballimin e migracionit.
Ndër përfundimet e samitit janë angazhimet e marra për të hequr pengesat administrative për lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve, investimet në infrastrukturë dhe projektet e investuese që do të zbatohen shpejt dhe me fikasitet hapa për të rikuperuar rajonin, shtohet në kumtesë.
Në samitin virtual marrin pjesë presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryeministri shqiptar, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministri kosovar, Avdullah Hoti, kryesuesi me Këshillin e ministrave të BeHsë, Zoran Tegetlija dhe ministrja malazeze e Ekonomisë, Dragica Sekuliq.
Ngjarja u organizua nga Këshilli atlantik, tink-tenk organizata e SHBA-së në bashkëpunim me partnerët e Qeverisë të SHBA-së, Komisionin Evropian, Shërbimin evropian për punë të jashtme dhe partnerë të tjerë ndërkombëtar të Këshillit Atlantik.
The post Pendarovski: Nuk duhet të lejojmë integrimi evropian të mbetet i largët appeared first on Telegrafi.