Më 18 prill në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet kuvendare, të cilat do të mbahen më 8 maj.
Pas votimit në zgjedhjet presidenciale (24 maj) partitë kanë vazhduar sot me fushatën. Telegrafi Maqedoni iu sjell disa nga aktivitetet e koalicioneve më të mëdha, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet për deputetë.
Koalicioni “Për ardhmëri europiane” i udhëhequr nga LSDM sot ka mbajtur tubim me qytetarët në Saraj, prej ku Dimitar Kovaçevski foli për zgjedhjet presidenciale. Ai tha se “qytetarët u dërguan mesazh të fortë dhe ne e dëgjuam atë mesazh”.
“Por kushdo që mendon se do të heqim dorë nga lufta e ka gabim. LSDM është ende parti e fortë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për çdo qytetar dhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë. Zgjedhjet e 8 majit do të jenë shumë të vështira, por rezultati ende nuk është vendosur. Qytetarët duhet të kuptojnë se ne vendosim për të ardhmen e vendit dhe prandaj duhet të dalin të votojnë”, tha Kovaçevski.
Koalicioni i udhëhequr nga OBRM-PDUKM ka mbajtur tubim me qytetarët në Strugë, prej ku Hristijan Mickoski tha se “era e ndryshimit ka filluar dhe nuk do të ndalet”.
“Ajo që thashë kur erdha këtu javën tjetër është realizuar. Populli nuk dëshiron të jetë nën zgjedhën e njëqind shpirtrave nga BDI-ja me një shtet të dhënë në shërbim të Ali Ahmetit. Populli ka treguar se është më i fortë se çdo skenar, çdo skemë e bërë nga të njëjtët politikanë që kanë vite që vjedhin dhe pasurohen mbi kurrizin e njerëzve të varfër e të vuajtur. Po i vjen fundi, cunami u ngrit dhe tërmeti u shkaktua nga ju, populli i Maqedonisë, dhe ju falënderoj për këtë”, tha Mickoski.
Ndërsa partitë shqiptare, sot nuk kanë pasur aktivitete në kuadër të fushatës për zgjedhjet kuvendare./Telegrafi/
The post Pas zgjedhjeve presidenciale, partitë maqedonase vazhdojnë me fushatën për zgjedhjet kuvendare appeared first on Telegrafi.