Qeveria do ta tërheqë në përpunim Ligjin e Mbrojtjes së Fëmijëve pasi presidentja Gordana Siljanovska Davkova i vendosi veto për shkak të dispozitave që i referohen futjes së licencave dygjuhëshe.
“Si Qeveri informojmë se Ligji do të përpunohet dhe i njëjti do të dorëzohet te deputetët në pajtueshmëri me procedurat ligjvënëse”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Ligji është votuar në Kuvend më 24 dhjetor nga deputetët e shumicës parlamentare, me shumicë të thjeshtë dhe Badinter, megjithatë presidentja nuk e ka nënshkruar dekretin nën arsyetimin se disa prej dispozitave janë kontestuese dhe duhet të interpretohen sipas Amendamentit 5 të Kushtetutës dhe rregullativës ekzistuese për përdorimin e gjuhëve. Për presidenten është kontestuese janë kontestuese nenet 9 dhe 10 të ligjit, ku thuhet se licencat për punë jepen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën që flasin 20% e qytetarëve të vendit, si dhe për qëndrimin që ka të bëjë me dhënien e pjesës së parë të provimit në mënyrë elektronike në vend se në formën e shkruar në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën që e flasin 20 % e qytetarëve.
“Ju kujtoj se mënyra e përdorimit të gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj cirilik dhe gjuha që flasin së paku 20% e qytetarëve dhe shkrimi i saj tashmë janë të rregulluara me ligj. Besoj se Kuvendi, si bartës i autoritetit legjislativ, do të marrë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e mia gjatë shqyrtimit të serishëm të dispozitave dhe do të krijojë zgjidhje të qarta, të sakta në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në Vendimi i Presidentes.
Sipas procedurës, Kuvendi ka mundësi t’i zbatojë sugjerimet dhe vërejtjet e presidentes, megjithatë kjo nuk është e detyrueshme. Pasi kthehet ligji nga Presidenca, ai duhet të shqyrtohet në afat prej 30 ditësh, nga dita e miratimit. Gjatë shqyrtimit të serishëm, deputetët mund të dorëzojnë amendamente vetëm për ato çështje që Presidenti ka dhënë vërejtje dhe sugjerime. Nëse pas shqyrtimit të dytë, Kuvendi e miraton me 61 vota, presidenti është i obliguar ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e tij.
LSDM e ka përshëndetur vendimin e presidentes Siljanovska që të mos e nënshkruajë dekretin e Ligjit të Mbrojtjes së Fëmijëve, ndërkaq i ka bërë thirrje Qeverisë që të heqë dorë nga ndryshimi i ligjit. BDI, veprimin e presidentes e ka quajtur skandaloz, sulm të hapur ndaj gjuhës shqipe dhe përpjekje për të minuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut./Alsat/
The post Pas vetos nga presidentja, Qeveria tërheq Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve për përpunim dhe dorëzim të serishëm në Kuvend appeared first on Telegrafi.