Partitë politike, në parim, shprehen në mbështetje të ndryshimeve ligjore që do të përmirësonin mbikëqyrjen në punën e shërbimeve të sigurisë. Këto ndryshime u referohen punës së komisioneve parlamentare që ndjekin punën e shërbimeve të sigurisë, reduktimin e numrit të komisioneve dhe numrit të deputetëve që janë pjesë e tyre.
“Mendoj se tani për fillim është mirë të fillojmë ta zbatojmë vëzhgimin sepse kjo është pako ligjesh të cilën e miratuam jo shumë kohë më parë. Unë si pragmatike nuk jam për ndryshim të shpeshtë të koncepteve dhe ligjeve por absolutisht, si shumicë por besoj se do të pajtohet edhe opozita, jemi të hapur për ndryshime që do të nënkuptonin përmirësimin e mbikëqyrjes”, tha Sllavjanka Petrovska, LSDM.
“Ai që nuk ndryshon, as nuk përmirësohet. Gjithmonë ka hapësirë për përmirësim të ligjeve. Këtu jemi së bashku dhe në interes të shtetit dhe të qytetarëve që të mësojmë si të bëjmë kontrolle më të mira sepse vlerësojmë se kjo i duhet shumë shtetit”, tha Lupço Prenxhov, OQM (në koalicion me OBRM-PDUKM).
Problemet me të cilat përballen komisionet që ndjekin punën e Agjencisë për Siguri Kombëtare, Agjencisë Teknike Operative dhe Agjencisë për zbulim i kishte detektuar “Eurothink” në analizën prej periudhës 2017 deri në 2020.
“Gjetjet tona thonë se mbikëqyrja mbi punën e shërbimeve është e politizuar dhe në shumë raste, anëtarë të caktuar të atyre komisioneve dinë më shumë të mbajnë anën e qëndrimeve të partive të tyre”, pohoi Ivan Stefanovski, Qendra për “Eurothink”.
Përveç politikanëve, shërbimet e sigurisë në ligj parashihet të mbikëqyren edhe nga Këshilli qytetar i përbërë nga ekspertët.
“Është pothuajse jofunksional dhe nuk i ka resurset dhe hapësirat e nevojshme për ta bërë punën e tij”, theksoi Ivan Stefanovski, Qendra për “Eurothink”.
Në konferencën e organizuar nga “Eurothink” për këtë temë, nuk kishte përfaqësues të ASK-së, por vetëm të ATO-së. Prezent ishte edhe drejtori i Agjencisë për zbulim Erolld Musliu. Trupat parlamentar të kësaj përbërje planifikojnë vizitën e parë në institucionet e sigurisë në muajin prill./Alsat/
The post Partitë politike mbështesin ndryshimet për mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë në Maqedoni appeared first on Telegrafi.