Më 18 prill në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet kuvendare, të cilat do të mbahen më 8 maj.
Telegrafi Maqedoni iu sjell disa nga aktivitetet e koalicioneve më të mëdha, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet për deputetë.
Koalicioni “Për ardhmëri evropiane” i udhëhequr nga LSDM sot ka mbajtur tubim në Shkup, prej ku Dimitar Kovaçevski tha se Maqedonia nuk ka më kohë për të pritur. Ai tha se “tani debati është se kur do të bëhemi pjesë e BE-së, e jo nëse do të bëhemi”.
“Nëse më parë dilema kryesore e qytetarëve ishte se a do të jemi apo jo, sot po diskutojmë se sa shpejt do të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian. Është përparim i vërtetë, është punë e vërtetë! Të kemi sukses për një jetë më të mirë të qytetarëve dhe atë sa më shpejt, sepse as qytetarët dhe as Maqedonia nuk kanë më shumë kohë për të pritur”, tha kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
Kryetari i OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski, nga tubimi i sotëm në Çair tha se e ndjen energjinë dhe atmosferën e fitores.
“Këto ditë të mbetura duhet të mobilizojmë sa më shumë dhe sondazhet e fundit që kam marrë këtë mëngjes thonë se do të ketë një fitore të madhe më 24 prill dhe 8 maj. Kur analizon se cila është thelbi i BDI-së, Ali Ahmetit dhe Artan Grubit, Bujar Osmanit, Talat Xhaferit dhe të tjerëve, nuk ka asgjë të veçantë në to, ata vetëm e ndajnë popullin në baza etnike dhe kështu vazhdojnë. A mund të kujtohet dikush ndonjë gjë të mirë që kanë bërë Ali Ahmeti dhe Artan Grubi, por mund të them dhjetëra të këqija”, tha Mickoski.
Fronti Europian sonte në sheshin Maqedonia në Shkup mbajti tubimin qendror. Para qytetarëve folën liderët e këtij koalicioni, ndërsa Ali Ahmeti tha se “e kaluara është e dhimbshme, dhe nuk duhet harruar por duhet të luftojmë të gjithë që kjo e kaluar të mos përsëritet por të shohim se si ta ndërtojmë të ardhmen”.
“Dhe e ardhmja është bashkimi vullnetar, dhe me mision fisnik për të gjithë qytetarët për integrimin e vendit në BE. Ardhmëri ka vendi vetëm me anëtarsimin në BE. Ne jemi të gjithë bashkë për të dhënë disa porosi, të dëgjojnë të gjitha ata se ne nuk garojmë e konkurojmë as në zonën tre e në zonën katër, mobilizohen që ne të mos fitojmë andej le ta shohin që sonte nuk do t’i marri gjumi do të harrojnë edhe treshin edhe katrën. Vëllezër e motra, të bashkuar nuk ka gjë që nuk arrihet, me sa skepticizëm flisinin se nuk bëhet kryeministri shqiptar, ca talleshin dhe sot le ta përballojnë Talat Xhaferin kryeministër”, tha Ali Ahmeti.
Koalicioni VLEN e ka vazhduar fushatën në Gostivar. Kryetari i Alternativës tha se nuk do të kenë aspak tolerancë për korrupsionin dhe krimin.
Ky shtet o do të bëhet i drejtë e pa korrupsion o do të falimentojë krejt. Mund t’ju them se për temat e tjera edhe mund të bëjmë ndonjë kompromis për mënyrat dhe afatet e realizimit, por le ta dinë edhe partnerët tanë të nesërm qeveritarë se kur bëhet fjalë për këtë çështje, aty nuk kemi asnjë tolerancë dhe asnjë kompromis”, tha Gashi. Sipas tij, Taravari nuk është kandidat vetëm i koalicionit VLEN, por është emri i përveçëm i përfaqësimit të shqiptarëve në këtë garë zgjedhore. /Telegrafi/
The post Partitë intensifikojnë aktivitetet, raport për fushatën për zgjedhjet kuvendare appeared first on Telegrafi.