Tashmë Ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka shkruar në lidhje me votimin e tij si ministër i Punëve të Jashtme, duke thënë se është nder dhe përgjegjësi që të jetë i pari i MPJ-së, si shqiptar i parë udhëheqës i këtij dikasteri, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Sot shënojmë edhe një pjesë të historisë sonë të re! Nga ky moment, me këtë betim, unë marr detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si shqiptari i parë që vjen në këtë pozitë. Sigurisht që është një sukses i madh me të cilin thyejmë stereotipet e ngurtësuara, por gjithashtu një përgjegjësi shtesë për mua që të justifikoj këtë besim, duke punuar sinqerisht dhe me përkushtim ndaj interesave tona të përbashkëta: anëtarësimi në Bashkimin Evropian, thellimi i marrëdhënieve me partnerët tanë strategjik SHBA-të dhe aleatët e tjerë të NATO-s, kultivimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe përfaqësimi dinjitoz i Republikës së Maqedonisë së Veriut në botë. Na qoftë me fat!” ka thënë Osmani.
I njejti më herët në ekzekutiv ka qenë ministër i shëndetësisë, zv.kryeministër dhe ministër i integrimeve. /Telegrafi/
The post Osmani: Si shqiptar i parë në MPJ do ta përfaqësoj RMV-në denjësisht nëpër botë appeared first on Telegrafi.