Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare në Mal të Zi, realizoi takim me homologun malazez Gjorgјe Radulloviq, njoftojnë nga Ministria e Jashtme e RMV-së.
Në takim u riafirmuan marrëdhëniet tradicionale dhe miqësore në mes të dy vendeve, u theksua gatishmëria që të gjenden forma konkrete për avancimin e bashkëpunimit, sidomos në sektorin real – në atë të ekonomisë, shkëmbimit, turizmit etj.
“Gjithmonë është bukur të jesh në mesin e miqve, në vizitë të vendit mik, ndërkaq Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë shembull i mirë për këtë. Vizitën e sotme në Mal të Zi e vlerësoj të rëndësishme, si për raportet tona bilaterale, për të cilat mendoj se janë të shkëlqyera, ashtu edhe për tërë rajonin, i cili është ende i ngarkuar me sfida serioze, veçanërisht për të ardhmen e tij evropiane”, theksoi Osmani, duke shprehur falënderim deri te kolegu Radulloviq për mikpritjen e këndshme të vizitës së tij të parë në Podgoricë.
Përveç raporteve bilaterale, në takim u hapën edhe temat për bashkëpunimin në kuadër të aleancës në NATO, si dhe rrumbullakimin e perspektivës evropiane të të dyja vendeve.
“Procesi i zgjerimit të BE-së, ose të shprehem më saktë- rrumbullakimi ose bashkimi i kontinentit në një aleancë të vetme – nuk ka alternativë. Kur bëhet fjalë për anëtarësim të vendeve nga Ballkani Perëndimor në BE, nuk parashtrohet pyetja a do të anëtarësohemi, por si dhe kur!”, theksoi Osmani.
Vizita e ministrit Osmani në Podgoricë, vazhdon me takimet e tij me presidentin e shtetit, Millo Gjukanoviq, kryetarin e parlamentit malazez, Aleksa Beçiq, kryetarin e Qeverisë, Zdravko Krivokapiq dhe nënkryetarin e Qeverisë, Dritan Abazoviq./Telegrafi/
The post Osmani- Radulloviq: Pavarësisht sfidave, integrimi në BЕ nuk ka alternativë appeared first on Telegrafi.