“Asnjëherë nuk ka pasur propozim që Teuta Arifi të jetë ambasadore në Washington dhe asnjëherë nuk ka pasur propozim formal që ajo të jetë ambasadore në Bruksel”. Këtë e tha sot ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, duke bërë thirrje të mos përhapen lajme të rrejshme.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Osmani tha se ka pasur konsiderata që Arifi të emërohet ambasadore në BE, por propozimi nuk është zyrtarizuar dhe se “asnjëherë nuk është dërguar marrëveshje që Arifi të jetë ambasador në Ankara”.
“Mendoj se duhet të kemi kujdes, sot është dita e lirisë së medias, por duhet të kemi kujdes në çështjen e lajmeve të rreme, sepse në fund viktima të lajmeve të rreme janë qytetarët. Kur ne politikanët hyjmë në politikë jemi të vetëdijshëm se do të jemi viktima të lajmeve të rreme, por qytetarët nuk duhet të jenë. Në rrezik është edhe dinjiteti i njerëzve për të cilët po flasim. Asnjëherë nuk ka pasur propozim që Teuta Arifi të jetë ambasadore në Ankara. Nuk ka pasur as paramendime”.
“Ditën e djeshme jo vetëm mediat e vogla, por edhe mediat kryesore publikuan lajme për Arifin pa kërkuar mendim nga Ministria e Punëve të Jashtme. Asnjëherë nuk ka pasur propozim dhe që Arifi është refuzuar nga Uashingtoni. Nuk ka pasur propozim formal për Arifin për BE, ka pasur konsiderata, por nuk ka pasur propozim formal për Brukselin për Arifin. As për Ankaranë nuk ka pasur marrëveshje. Kini kujdes kur përmendni emra. Për Teuta Arifin nuk është dërguar asnjë kërkesë për marrëveshje në asnjë vend”, ka thënë Osmani.
Ndryshe, ditëve të fundit në media u publikuan informacione se Brukseli e ka refuzuar Teuta Arifin për ambasadore të Maqedonisë së Veriut./Telegrafi/
The post Osmani për Teuta Arifin: Nuk ka pasur propozim formal që ajo të emërohet ambasadore appeared first on Telegrafi.