Nga dita e nesërme, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, do të realizojë vizitë dy ditore pune në Bruksel. Osmani me ftesë të kryesuesit të PBEJL-së, ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendijas, do të marrë pjesë në takimin jo formal të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të PBEJL-së. Në kuadër të takimit ministror, Osmani do të ketë takim bilateral të ndarë me ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Svetllan Stoev.
Agjenda e Osmanit në Bruksel përfshin edhe takime me përfaqësues të lartë të Institucioneve Evropiane, duke përfshirë edhe Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Varhei dhe Mirosllav Lajçak, Përfaqësues i posaçëm i BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Beograd-Prishtinë.
Në program janë paraparë edhe takime me zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian dhe me eurodeputetë, duke përfshirë bashkëkryesuesin e Komitetit të Përbashkët ndërmjet BE-së dhe RMV-së, Andreas Shider, raportuesin për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Kjuçuk si dhe koordinatorin e AFET, Mihaell Galler.
Pikë kyçe e bisedimeve do të jetë dosja evropiane e Maqedonisë së Veriut, zhvillimet rajonale dhe aktualitetet politike në vend.
Në kuadër të vizitës së punës në Bruksel, Osmani pritet që të japë intervistë për ueb faqen prestigjioze të Brukselit “EU Observer” dhe për “Agency Europe”.
The post Osmani nesër në Bruksel, do të takohet me kryediplomatin bullgar Stoev appeared first on Telegrafi.