Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në kuadër të vizitës së punës në Mbretërinë e Belgjikës, realizoi takim me nikoqirin e tij, zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Çështje Evropiane dhe Tregti të Jashtme dhe Institucione Federale Kulturore të Mbretërisë së Belgjikës, Sophie Wilmès.
Në takim u bisedua për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe perspektivat për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare, në pajtim me vendimin e Këshillit të BE-së për fillim të bisedimeve.
“Kuptohet që është obligim i përbashkët ta ruajmë kredibilitetin evropian mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse jo vetëm neve, por edhe gjithë kontinentit i duhet rajon stabil, me prosperitet dhe evropian. Dhe këtu më së shumti llogarisim në sistemin e meritave, dhe vlerësoj se sot riafirmuam këto pozicione parimore edhe me Belgjikën”, theksoi Osmani.
Në takim u bisedua edhe për raportet bilaterale mes dy vendeve, për të cilat u konstatua se kanë progres stabil dhe të vazhdueshëm.
Osmani dhe Wilmès hapën edhe më shumë çështje aktuale nga fusha e politikës ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe temat lidhur me gjendjen epidemiologjike në të dyja vendet dhe përpjekjet për të kapërcyer krizën shëndetësore globale të shkaktuar nga Covid-19.
Vizitën e Osmanit në Bruksel vazhdon me takimet me Kryetarin e Parlamentit belg Eliane Tillieux dhe Presidentin e Senatit Belg, Stephanie D’Hose, ndërkaq në kuadër të vizitës Osmani do të realizojë vizitë edhe në selinë e NATO-s, ku do të takohet me Sekretarin Gjeneral, Jens Stoltenberg.
The post Osmani në takim me Wilmes: Është obligim i përbashkët ta ruajmë besueshmërinë evropiane mes vendeve të Ballkanit Perëndimor appeared first on Telegrafi.