Opozita shqiptare i ka kërkuar Parlamentit formimin e Komisionit hetues për punën e Komisionit për parandalimin e Sëmundjeve Infektive. Dy partitë propozues të iniciativës – ASH dhe AAA thonë se nuk duhet të lejohet që pandemia të vazhdojë shtrirjen si tani, ndërsa Komisioni të rri duarkryq.
Dy partitë opozitare shqiptare – Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Alternativa (AAA) i kanë propozuar Parlamentit formimin e Komisionit hetues ndaj punës së Komisionit për Sëmundje Infektive. Nga dy partitë shqiptare të bllokut opozitarë kanë theksuar se Komisioni i cili duhej të përballej me pandeminë, ka dështuar për shkak të politizimit të përbërjes. Propozimin në emër të koalicionit ASH-AAA e ka shtjelluar sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Arben Taravari, ndërsa thotë se nuk mund të lejohet që pandemia të vazhdojë shtrirjen si tani, ndërsa KSI të rri duarkryq. “Çdo organ shtetëror i cili ndërmerr hapa jokompetent në kohë të nevojshme, atëherë duhet të ketë edhe përgjegjësi. Ne si grup parlamentar e kemi nisur këtë iniciativë dhe shpresoj të pranohet dhe të nisë me punë Komisioni hetimor. KSI është skajshmërish partiak. Aty janë anëtarë partiak të dy partive në pushtet – LSDM dhe BDI. Maqedonia është vendi i vetëm i cili akoma nuk ka strategji dhe algoritme se si të ballafaqohet me këtë situatë”, ka deklaruar Taravari.
Për formimin e Komisionit hetues, fjalën e kanë të zgjedhurit e popullit në seancë plenare kur duhet edhe të japin ose jo dritë jeshile për formimin e të njëjtit. Më pas, komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime përcakton numrin e anëtarëve nga shumica dhe opozita, ndërsa në propozim-vendim duhet potencuar arsyeja dhe qëllimi për formimin e një trupi të tillë. Parimisht, me komisionet hetuese udhëheq opozita. Në rast se komisioni formohet, mandati i tij vazhdon deri në shpërndarjen e Parlamentit.
Nga opozita shqiptare paralajmërojnë edhe amendamente ndaj propozim-ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse, për të cilin të martën pritet votimi i nevojës së miratimit të tij.
“Shpresoj që Qeveria t’i pranojë këto propozime. Nuk i di konkretisht propozimet e tyre dhe me siguri grupi parlamentar ato do t’i shpjegojë në seancat e komisioneve dhe seancën plenare të Parlamenti”, thotë Arben Taravari.
Ndryshe, për situatën e përkeqësuar me numrin e të infektuarve dhe të vdekurve nga Covid-19, ashpër ka reaguar edhe opozita maqedonase e kryesuar nga OBRM-PDUKM. Nga kjo parti thonë se për gjendjen e krijuar nuk ka justifikime, nuk ka durim.(koha.mk)
The post Opozita shqiptare në Maqedoni kërkon Komision hetues për gjendjen me Covid-19 appeared first on Telegrafi.