Më 2 mars 1925, në Bari të Italisë, u vra Luigj Gurakuqi, një nga personalitetet më të rëndësishme të historisë shqiptare, figurë kyçe e Pavarësisë dhe shtetformimit të Shqipërisë.

Në kuadër të 100-vjetorit të kësaj ngjarjeje, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në bashkëpunim me Postat e Maqedonisë së Veriut, ka emetuar një pullë postare me portretin e Gurakuqit, si një shenjë nderimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare shqiptare.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, në fjalën e tij tha se Luigj Gurakuqi ishte një ndër nismëtarët e unifikimit të alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit dhe një nga hartuesit dhe firmëtarët e Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Përmes veprimtarisë së tij si ministër, politikan dhe drejtues i Normales së Elbasanit, ai e pa arsimin si rrugën kryesore për emancipimin kombëtar.

“Dokumente të reja mbi vrasjen e Gurakuqit, që hedhin dritë mbi organizimin dhe prapaskenat e këtij akti, do të shpalosen së shpejti në Tiranë, duke ndihmuar në ndriçimin e kësaj ngjarjeje historike. Vepra dhe trashëgimia e Luigj Gurakuqit mbeten një burim frymëzimi për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e dijes dhe edukatës për përparimin e shoqërisë”, u shpreh Asani.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Në ceremoninë e përurimit të kësaj pulle postare morën pjesë dhe mbajtën fjalime drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri” të Kosovës, Teuta Shala Peli, drejtori i Postave të Maqedonisë së Veriut, Orhan Kurtishi, drejtori i Shtëpisë Botuese “Drita”, Fatmir Koliqi, kryetari i Shoqatës “Lëvizja”, Xhevat Bislimi, si dhe përfaqësuesja e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Shkup.

The post Njëqind vjetori i vrasjes së Luigj Gurakuqit, ITSHKSH promovoi pullë postare në nder të tij appeared first on Telegrafi.