Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, zhvillimet në Ballkan, Mesdheun Lindor dhe situata në Ukrainë, sipas Ministrisë së Jashtme greke, pritet të jenë temat që Nikos Dendias do të bisedojë me nikoqirët e tij në Shkup.
Ministri i Jashtëm grek nesër do të qëndrojë për një vizitë njëditore në Maqedoninë e Veriut, do të takohet me ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, pasdite do të jap dhe deklarata për media, do të pritet poashtu dhe nga kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe do të marrë pjesë në një darkë pune e organizuar nga Osmani dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq.
“Gjatë vizitës së Ministrit të Punëve të Jashtme, bisedimet pritet të fokusohen në zbatimin e plotë, të qëndrueshëm dhe me qëllim të mirë të Marrëveshjes së Prespës, në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, tregtinë dhe energjinë, si dhe për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, pritet që bisedimet të mbulojnë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe Mesdheun Lindor, si dhe situatën në Ukrainë pas pushtimit rus”, thanë nga Ministria e Jashtme greke përpara vizitës.
Gjithashtu, ata kujtojnë se Dendias ka qenë në Shkup në nëntor 2019 dhe gusht 2021, ndërsa kolegu i tij Bujar Osmani ka vizituar Athinën në janar 2021.
The post Nikos Dendias nesër viziton Shkupin, në axhendë janë planifikuar disa takime appeared first on Telegrafi.