Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski projektin për autostradën Shkup-Bllacë e ka cilësuar si “dështim të plotë”.
“Sot në mëngjes, kur isha duke ecur me kolegët e mi, po u shpjegoja se çfarë dështimi ishte projekti i autostradës Shkup-Bllacë. Një dështim i plotë i një projekti. Është një projekt që fillon dhe nuk mbaron askund. Sepse ideja ka qenë që të fillohet nga kufiri, por kur e sheh, në thelb, ajo që duhet të jetë autostradë nga pala maqedonase nuk shkrihet me autostradën në anën e Kosovës. Shkon në lindje të pikës kufitare dhe autostradës ekzistuese në anën e Kosovës. Ky është problemi i parë dhe i dyti është se ato dy kilometra përfundojnë në një gropë 50 metra, dhe ky është fundi i këtyre dy kilometrave dhe nuk lidh me askënd.
Problemi kryesor është se projekti i trasesë është ndryshuar tre herë. Kjo është rruga e tretë që po punohet. I kam nxjerrë në publik dokumentet e asistencës teknike për ndërtimin e kësaj autostrade, sepse këtu përdoren para nga Banka Evropiane. Ndihma teknike ofrohet nga SUES, kompania që ndërtoi kanalin e Suezit. Është shkruar shumë qartë se për shkak të ndryshimit të trasesë po ndodhin dy probleme”, tha Nikollovski në “Telma”.
Nikolloski thotë se problemi i parë është se “vlera e kontratës potencialisht rritet nga 200 milionë në 240 milionë euro me mundësi që të rritet edhe 20 për qind, në 290 deri në 300 milionë euro, që është shumë larg buxhetit të parashikuar”.
“Dhe së dyti, sa i përket tuneleve, ato nuk janë të projektuara sipas standardeve evropiane dhe nuk mund të kryhen ashtu siç janë projektuar”, theksoi Nikolloski./Telegrafi/
The post Nikolloski: Autostrada Shkup-Bllacë është një dështim i plotë, dy seksione po ndërtohen paralelisht appeared first on Telegrafi.