Çmimi i ngrohjes qendrore do të rritet për 5,03 për qind, njoftoi në konferencën e sotme kryetari i Komisionit Rregullativ për Energjetikë (KRRE), Marko Bislimoski.
Siç theksoi Bislimoski, arsyeja e rritjes së çmimit është rritja e çmimit të gazit natyror në bursat botërore dhe zvogëlimi i prodhimit të termocentraleve, të cilët në vend të 60 për qind kanë marrë pjesë me 51 për qind në prodhimin e energjisë termike dhe çmimi i ri do të jetë i vlefshëm nga 1 shkurti i këtij viti.
Çmimi për konsumatorët e energjisë termike në qytetin e Shkupit do të rritet për 5,03%, si rezultat i rritjes së çmimit të gazit natyror në bursat botërore për 16% në tremujorin e fundit të vitit 2024.
“Pas kërkesës së paraqitur nga EMV Heat Distribution, EMV Heat Production dhe EMV Heat Supply, KRRE kreu analizë të thelluar e cila tregoi se çmimi i gazit natyror në tremujorin e fundit të vitit të kaluar është rritur në terma realë në bursat botërore me 16%. Në vendimin e korrikut, përllogaritja e çmimit të energjisë termike është bërë me çmimin e parashikuar të gazit natyror prej 37 euro për 1 MWh (TM4 2024), ndërsa tani për blerjen e gazit natyror është bërë çmimi prej 43 euro për 1 MWh. Siç e dini, ne jemi një vend 100% i varur nga importi i gazit natyror, një burim energjie që është lënda djegëse parësore për funksionimin e termocentraleve dhe për të vazhduar shpërndarjen e pandërprerë, ishte e nevojshme të merrej ky vendim”.
Kjo rritje pritet të rrisë faturën mesatare për rreth 100 denarë, nga 2100 denarë që janë tani, në rreth 2200 denarë nga muaji shkurt. Ju e dini që vitin e kaluar kemi pasur një proces të kundërt kur çmimi i gazit natyror në bursë ka qenë më i ulët se sa pritej dhe për këtë kemi marrë vendim të favorshëm për kategorinë e përdoruesve të tjerë. Më pas, faturat u ulën me 35%”, tha Marko Bislimoski, kryetar i KRRE-së.
Ai shtoi se KRRE do të shqyrtojë dhe do të marrë vendim javën e ardhshme për kërkesën për çmim të ESM Energetika, e cila furnizon rreth 2000 klientë.
The post Nga 1 shkurti do të rritet çmimi i ngrohjes qendrore për 5 përqind appeared first on Telegrafi.