Prej nesër plotësisht do të hapen të gjitha vendkalimet kufitare në shtet, me çka shtetasit e Maqedonisë së Veriut dhe të huajt do të munden pa pengesë të lëvizin pa detyrim për test PRS dhe karantinë shtetërore.
Vendimin e mori Qeveria të martën mbi bazë të rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Infektive, ndërsa gjithashtu vendosir që më 1 korrik të hapen për qarkullim edhe Aeroporti Ndërkombëtar Shkupi dhe ai aeroporti “Apostol Pavle” në Ohër, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kryeministri Oliver Spasovski dje konfirmoi se hapja e kufijve nuk është kurrfarë vendimi politik i sjellë në korrelacion me zgjedhjet por bazohet vetëm në analizat epidemiologjike dhe mendimin e Komisionit për Sëmundje Infektuese. Në konferencën për shtyp në Qeveri, porositi se duhet të mësohemi të jetojmë me virusin ndërsa kjo do të thotë të respektohen rekomandimet për mbajtjen e pajisjes mbrojtëse personale, mbajtjen e distancës dhe dezinfektimin e shpeshtë.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe deklaroi se hapja e kufijve nuk paraqet rrezik për rritjen e numrit të rasteve të reja, pasi që transmisioni lokal është rreziku më i madh. Sipas tij, hapja e kufijve me kontrollin e vendosur në aeroporte dhe mënyrën e anketimit të udhëtarëve në hyrje të shtetit, nuk paraqet rrezik për rritjen e numrit të pacientëve të diagnostikuar.
“Siç është e njohur, në fillim të krizës kemi pasur raste të cilët kanë ardhur nga jashtë, por ata paraqisnin rrezik për numër të vogël të kontakteve në afërsinë e tyre të drejtpërdrejtë. Nëse respektohen masat parandaluese, atëherë ky rrezik prakitikisht vendoset në minimum. Nuk mundet asnjë shtet në botë të jetojë vet i mbyllur në kufijtë e tij. Vlerësoj se hapja e kufijve me kontrollin që e kemi, respektivisht kamerat termale në aeroporte dhe mënyrën e anketimit të udhëtarëve në hyrje të shtetit, vlerësoj se nuk ka rrezik për rritjen e numrit të pacientëve të diagnostikuar”, tha ministri Filipçe.
Me vendimin për hapje të plotë të kufijve të vendit shtetasit e Maqedonisë së Veriut do të mund lirshëm të udhëtojnë jashtë kufijve pa detyrim për test negativ PSR për coronavirus dhe karantinë të detyrueshëm gjatë kthimit në vend.
Megjithatë, me përjashtim të Serbisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Turqisë, ky detyrim mbetet për hyrje në disa vende në rajon dhe në vendet anëtare të BE-së. Për udhëtim në Bullgari dhe Greqi si vende anëtare të BE-së vlejnë udhëzimet e lëshuara nga KE-ja për hapjen e kufijve nga 1 korriku i këtij viti.
Këtë vendim anëtare e BE-së sërish duhet ta shqyrtojnë nesër për shkak të rritjes së numrit të të sëmurëve nga coronavirusi në vendet në rajon. Ndërkohë, Sllovenia dhe Kroacia paralajmëruan mundësi për ashpërsimin e regjimit kufitar dhe sërish kthimin e detyrimit për karantinë dyjavore për personat të cilët vijnë nga Serbia, Bosnja, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova duke e pasur parasysh pasqyrën epidemiologjike në këto vende.
Bullgaria, megjithatë, e vazhdoi gjendjen e jashtëzakonshme në vend deri më 15 korrik për shkak të valës së re të të infektuarve me coronavirus./Telegrafi/
The post Nesër hapen kufijtë – pa test dhe karantinë në Shqipëri, Kosovë, Turqi dhe Serbi appeared first on Telegrafi.