“Dy mijë njerëz lypin çdo ditë në Shkup, pra janë lypsarë!. Hulumtimet tona tregojnë se në tërë territorin e vendit ka mbi katër mijë lypës”, theksoi në konferencën e sotme për media, Ilija Jovanov, kryetar i Shoqatës “Ndërtojmë të Ardhmen” – Shkup.
“Ne si shoqatë arritëm që për tetë muaj të largojmë 1500 persona nga lypja. I kemi paralajmëruar, i kemi drejtuar ku të kërkojnë ndihmë dhe se zgjidhja nuk është në lypjen dhe puna e tyre nuk është këtu”, tha Jovanov.
Ai informon se sot në stacionin policor në Gazi Babë kanë mbajtur takim me përfaqësues të stacioneve policore Qendër, Gjorçe Petrov, Kisella Vodë, Aerodrom, Novo Lisiçe, Karposh, Gazi Babë dhe Saraj për të gjetur zgjidhje për faktin se organizatorët dhe tutorët abuzojnë me fëmijët, dhe ua marrin paratë.
Siç tha ai, për fat të keq fëmijët nuk i marrin paratë nga qarkullimi ditor të cilin e bëjnë nga tre deri në pesë mijë denarë.
Ai theksoi se “përfaqësuesit e stacioneve policore deklaruan se detyrat e tyre i kryejnë me profesionalizëm, ndërgjegje dhe përgjegjësi, duke bërë kallëzime penale, duke ndaluar fëmijët e mitur dhe personat e moshuar që kryejnë kundërvajtje dhe vënë në rrezik veten e tyre, këmbësorët si dhe shoferët në rrugët ku lypin”.
Ai apelon komunitetet e biznesit dhe komunat që të përfshihen në projektin për të nxjerrë njerëzit nga lypja.
“Ky problem duhet të zgjidhet në nivel komunal. Pra, çdo komunë duhet të zgjidhë problemin e lypsarëve dhe u bëj thirrje të gjithë kryetarëve të komunave që të marrin më shumë përgjegjësi sociale në vend të punëve partiake. Konkretisht, familjeve rome duhet tu ofroni program pune, u ofroni kurse, trajnime për marrjen e njohurive të reja”, tha Jovanov.
Ai apeloi edhe ministren e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska, Qeverinë dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski që këtë çështje ta zgjidhin institucionalisht.
The post Në Maqedoni veprojnë mbi katër mijë lypsarë, fëmijët dhe të moshuarit abuzohen nga “pronarët” e tyre appeared first on Telegrafi.