
Procesi gjyqësor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhoskit sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup vazhdon me dëshminë e të akuzuarit Vllatko Keshishev, i cili duhet të përgjigjet në pyetjet e mbrojtësve të të akuzuarve tjerë. Sipas njoftimit, pas dëgjimit të Keshishevit, duhet të dëshmojnë babai i Vanja Gjorçevskës dhe Ljupço Palevski.
Në seancën e kaluar Keshishev tha se Pançen dhe Vanjën për herë të parë i pa pas postimeve në Fejsbuk për zhdukjen e tyre. Ai dëshmoi për grabitjet e tyre me ç’rast sipas përgjigjeve të tij për të njëjta kryesisht ka pasur rolin e rojtarit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit publik që kishin të bënin me komunikimet me të akuzuarit, motivet e të pandehurit dhe vetëdijen për seriozitetin e situatës, Keshishev pranoi se ishte i ndikuar nga Ljupço Palevski, por pretendoi se nuk ishte plotësisht i vetëdijshëm për veprimet e tij.
Në pyetjen e mbrojtësve të të akuzuarve tjerë, Keshishev dha detaje për lëvizjen e të akuzuarve në ditën e vrasjes së Pançe Zhezhovskit dhe theksoi se për herë të parë për babain e Vanjës e ka kuptuar kur është marrë në paraburgim.
Në aktakuzë thuhet se Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vllatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski, së bashku kanë planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj të ngushtë të japë para për shpërblim. Rrëmbimi i të dëmtuarit, Pançe Zhezovski, në Veles, sipas aktakuzës, ka qenë me qëllim që ta detyrojë t’ua japë automjetin e tij Citroen, në mënyrë që ta përdorin për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.
Vanja e mitur dhe Pançe nga Velesi, u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, ndërsa më 3 dhjetor të vitit 2023 u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit.
The post Në Gjykatën Penale vazhdon gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, dëshmoi Keshishev appeared first on Telegrafi.