Para tre viteve Oda e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut kishte propozuar riorganizimin e dhënies së shërbimeve primare, respektivisht riaktivizimin e ndihmës së shpejtë në komunat rurale të vendit. Por, gati se tre vite Ministria e Shëndetësisë nuk merr parasysh këtë propozim, kurse ishin paraparë edhe ndryshime në ligjin e propozuar për mbrojtje dhe veprimtari shëndetësore, por që ende nuk është miratuar. Nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut theksojnë se ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, por kanë shpresa se Ministria e Shëndetësisë do të merr parasysh propozimin e tyre, që në të ardhmen komunat rurale të kenë repart të ndihmës së shpejtë.
“Ne si dhomë e mjekëve të Maqedonisë së Veriut dhamë një opinion për disperzim dhe ofrim të shërbimeve mjekësore dhe urgjencave më afër popullatës sonë. Ne kërkuam që të ketë disperzim në të gjitha komunat rurale dhe në të gjithë territorin e shtetit të ndihmës së shpejtë dhe të ambulancës që do të ofrojnë shërbime mjekësore 24 orë për popullatën tonë. Gjatë kësaj periudhe, edhe pse kishim vazhdimisht komunikime, realisht nuk është bërë asgjë. Për momentin ka disa lëvizje, të cilat parashihen me ndryshimin e ligjit për mbrojtje dhe veprimtari shëndetësore, dhe këtu përveç Ministrisë së Shëndetësisë duhet të kyçen edhe komunat rurale që të krijohen këso lloj shërbimesh mjekësore”, thotë Ylber Besimi, zëvendëskryetari i Odës së Mjekëve të Maqedonisë së Veriut.
Besimi thekson se gjatë kohës së pandemisë stafi mjekësor u riorganizua për të luftuar këtë pandemie, prandaj në të ardhmen hapja e ndihmës së shpejtë në komunat rurale do të ishte për të mirën e qytetarëve. Nevojë për një riorganizim të këtillë ka edhe rajoni i Pollogut, sepse në raste të aksidenteve apo urgjencave të ndryshme për të arritur deri në Tetovë, shpeshherë pacientët vdesin gjatë rrugës nga distanca e madhe.
“Kapacitetet e stafit mjekësor gjatë kohës së pandemisë treguan se ka mundësi dhe ka nevojë të bëhet një riorganizim, prandaj me një riorganizim të mirë mundet që shërbimet tona shëndetësore t’i ofrojmë më afër popullatës. Në Pollog kemi një diapazon të gjerë, kemi vendbanime në rajone shumë të largëta dhe realisht ka nevojë për ndihmë mjekësore dhe urgjenca mjekësore, kështu që besoj se si odë e mjekëve nuk do të hasim në vesh të shurdhër dhe shpresoj se këso lloj riorganizimi në të mirë të popullatës tonë do ta arrijmë. Shtëpitë e Shëndetit, nën kompetencë të të cilave janë ndihmat e shpejta, janë të gatshme për këtë lloj riorganizimi që të japin shërbime 24 orë pa mos i ngarkuar resurset e tyre. Me një organizim shumë efikas, pragmatik, ne mund të bëjmë një riorganizim të këtyre shërbimeve të ndihmës së parë dhe të urgjencës nëpër punktet regjionale në të gjitha komunat e vendit”, shprehet Ylber Besimi. Me riorganizimin e sistemit shëndetësor do të krijohej mundësia që edhe mjekët e rinj të mund të punësohen menjëherë nëpër këto qendra urgjente, dhe kjo do të evitonte edhe largimin e kuadrit mjekësor nga vendi. Kërkuam mendim edhe nga Ministria e Shëndetësisë por nuk morëm përgjigje. (koha.mk)
The post Ndihma e Shpejtë në komunat rurale, Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë hesht appeared first on Telegrafi.