Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) informon se nga data 3 deri më 9 shkurt janë regjistruar 2.880 raste të gripit apo sëmundje të ngjashme me grip, që është 5.1 për qind më pak në krahasim me javën paraprake. Por, krahasuar me të njëjtën javë të vitit të kaluar, kur kishte 1.874 raste, tani ka rritje prej 53.6 për qind.
“Në bazë të moshës 1.552 janë të moshës 15 deri në 64 vjeç. 685 janë fëmijë të moshës 5 deri në 14 vjeç, 314 janë fëmijët të moshës 0 deri në 4 vjeç, dhe 272 raste janë regjistruar te personat mbi 65 vjeç. Të regjistruarit janë më së shumti nga Shkupi”, deklaroi Marija Andonovska, drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik.
Për momentin Instituti nuk planifikon të propozojë rekomandime deri tek Komisioni për Sëmundje Infektive.
“Ne jemi në komunikim me ata dhe e ndjekin situatën, raportet i marrin rregullisht si ato ashtu edhe institucionet tjera kompetente. Së fundmi edhe ministri ka lëshuar një udhëzim specifik për institucionet shëndetësore, duke kërkuar respektimin e masave parandaluese”, tha Marija Andonovska, drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik.
Për t’u mbrojtur nga gripi, Instituti i Shëndetit Publik rekomandon shmangien e grumbullimit dhe qëndrimit në ambiente të mbyllura me më shumë njerëz. Sipas të dhënave të Institutit në sezonin 2024/2025, numri i përgjithshëm i rasteve me sëmundje të ngjashme me gripin është 11.614./Alsat/
The post Ndalet hovi i gripit stinor, ISHP ka regjistruar 5 për qind më pak të sëmurë appeared first on Telegrafi.