Murtezani: Agjenda reformuese 2024-2027, dëshmon përkushtimin e RMV-së drejt integrimit në BE

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut kishte fjalën e tij në takimin e 23-të të Komitetit të përzier Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut.

Murtezani theksoi se për më shumë se dy dekada, ky Komision i përzier Parlamentar është shtyllë e partneritetit, i cili po kahëson dialogun tonë dhe garanton që integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut mbetet prioritet strategjik.

“Ekzistojnë momente në histori kur rruga e një kombi formohet jo vetëm nga përcaktimi i vetë, por edhe nga zgjedhja e partnerëve të tij. Sot, gjendemi në një moment të tillë. Jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Evropën në tërësi. Pyetja që parashtrohet nuk është a jemi në të njëjtën anë. Ajo është vendosur kohë më parë. Pyetja është a kemi vizion dhe guxim këtë të ardhme të përbashkët ta shndërrojmë në të tashmen. Për më shumë se dy dekada, ky Komitet i përzier Parlamentar është shtyllë e partneritetit, i cili kahëson dialogun tonë dhe garanton që integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut të mbetet prioritet strategjik. Sot, derisa diskutojmë aspektet kyçe të procesit tonë të aderimit: sundimi i së drejtës, të drejtat themelore, qeverisja e mirë, rezistenca ekonomike, bashkëpunimi rajonal, lidhja dhe siguria; medoemos të pranojmë se këto nuk janë vetëm reforma, por investime në Evropë më të fuqishme dhe të unifikuar. Evropa ndodhet në një udhëkryq. Në një botë ku pasiguria është në rritje, Bashkimi Evropian ka përgjegjësi të veprojë jo përmes pavendosmërisë, por përmes vizionit strategjik. Procesi i zgjerimit nuk mund të mbetet një çështje dytësore kur në fakt është domosdoshmëri kyçe gjeopolitike. Ballkani Perëndimor nuk është subjekt i veçantë; por pjesë e pandashme e së ardhmes së Evropës. Rajon i qëndrueshëm, demokratik dhe i integruar përforcon projektin evropian dhe përmirëson sigurinë, prosperitetin ekonomik dhe konkurrencën globale të të gjithë kontinentit. Zhvillimet gjeopolitike në vitet e fundit, duke përfshirë pushtimin rus ndaj Ukrainës dhe ndryshimet më të gjera globale, vetëm e kanë përforcuar urgjencën e zgjerimit si imperativ strategjik për BE-në. Gjatë viteve të fundit, Maqedonia e Veriut ndërmori hapa kyçe lidhur me integrimin e saj evropian, përforcimi i pavarësisë gjyqësore, avancimi i përpjekjeve kundër korrupsionit dhe harmonizimi i financave publike me standardet e BE-së, kryesisht si rezultat i zbatimit të vazhdueshëm të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim. Gjithashtu 1,3 miliardë euro investuam në 22 projekte infrastrukturore për përmirësimin e ndërlidhjes dhe efikasitetit të energjisë, njëkohësisht mbështetëm lirinë dhe transparencën e mediave. Në mënyrë shtesë, përfunduam procesin e skriningut dhe morëm Raportet për Klasterin 1 – Vlerat Themelore, si dhe për klasteret 2, 3, 4 dhe 6, ndërkaq për klasterin 5 që pritet së shpejti. Përveç kësaj, përfshirja jonë në Mekanizmin e BE-së për sundimin e së drejtës i përforcon përpjekjet tona reformuese. Hapi tjetër kyç është përfshirja graduale e vendeve kandidate në semestrin Evropian dhe në Sistemin e menaxhimit ekonomik të BE-së, që në mënyrë shtesë do të përforcojë reformat tona brenda BE-së”, tha Murtezani.

Ai tha se RMV-ja është e përkushtuar në rrugën drejt reformave.

Advertisement

“Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe agjenda jonë e reformave për 2024-2027 demonstrojnë përkushtimin tonë për reforma dhe integrim të mëtejshëm. Kjo u konfirmua edhe me Raportin e progresit të vendit për vitin 2024 nga Komisioni Evropian, i publikuar më 30 tetor 2024, që jep vlerësim objektiv për progresit tonë, ku gjithashtu potencohen fushat ku nevojitet angazhim shtesë. Agjenda Reformuese për 2024-2027, së bashku me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, e demonstron përkushtimin tonë për reforma dhe integrim të mëtejshëm. Rezultati i këtij angazhimi është Samiti i ardhshëm i liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Shkup në gjysmën e dytë të marsit dhe do të jetë kyç për avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe siguri që qytetarët tanë ti ndjejnë përfitimet nga integrimi në BE përpara anëtarësimit të plotë. Komiteti i Përzier Parlamentar mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian është i rëndësishëm në mbështetjen e këtyre reformave, duke mbështetur e progres të vazhdueshëm dhe avancim të cilësisë së përgjithshme të përpjekjeve tona për integrim. Këto reforma jo vetëm që janë në përputhje me pritshmëritë e BE-së, por, gjithashtu çojnë në përmirësime konkrete për qytetarët tanë. Procesi ynë për integrim në BE vazhdon dhe ne njohim rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët tanë në Parlamentin Evropian, të cilët kanë rol të rëndësishëm në formësimin e së ardhmes së rajonit. Së bashku, duhet të punojmë që të sigurojmë se procesi i zgjerimit mbetet prioritet, se progresi është i njohur dhe se dyert hapen kur plotësohen kushtet. Maqedonia e Veriut është e gatshme të kontribuojë në Bashkimin Evropian, jo vetëm si anëtare, por edhe si pjesëmarrëse aktive në përforcimin e vetë Unionit. Vendi ynë në Evropë nuk është qëllim i largët, por realitet të cilin e ndërtojmë çdo ditë”, përfundoi Murtezani.

The post Murtezani: Agjenda reformuese 2024-2027, dëshmon përkushtimin e RMV-së drejt integrimit në BE appeared first on Telegrafi.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy