Mungesa e ndërgjegjësimit rritë rastet me COVID-19 në Maqedoni

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Mungesa e ndërgjegjësimit si nga qytetarët ashtu edhe nga institucionet, po ndikon në përhapjen e rasteve me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut. Kështu vlerësojnë aktivistët dhe drejtuesit e institucioneve në këtë shtet, duke akuzuar njëri tjetrin se kush janë fajtorët për përkeqësimin e gjendjes epidemiologjike. Vetëm gjatë këtij muaji, numri i rasteve aktive me COVID-19 është rritur me 5 000 persona, duke e rikthyer gjendjen e funditvitit të kaluar.

Përkeqësimi i gjendjes epidemiologjike në Maqedoninë e Veriut, apo rritja e rasteve me koronavirusin e ri që shkakton sëmundjen COVID-19, sipas drejtuesve të institucioneve shëndetësore, ka të bëjë me mosrespektimin e masave nga ana e qytetarëve.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, tregojnë se gjatë muajit të fundit numri i rasteve aktive është rritur për më shumë se 5 000 persona, kurse nëpër spitale janë shtrirë më shumë se 1 100 persona, shifër kjo që ka rikthyer spitalet në gjendjen e fundvitit të shkuar, kur spitalet pothuajse ishin mbushur në të gjitha kapacitetet për trajtim të pacientëve.

Më 10 mars, qeveria vendosi ndalimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00, pas informacioneve të inspektorateve përkatëse mbi mosrespektimin e masave, grumbullimin e qytetarëve nëpër kafene e lokale tjera të natës, si edhe nëpër hapësira publike.

Advertisement

Që nga aplikimi i kësaj mase janë rritur edhe kontrollet. Në pesë ditët e fundit sipas të dhënave të MPB-së, rreth 200 persona janë gjobitur për shkeljen e masës së ndalimit të lëvizjes. Sipas nenit 206 të Kodit Penal, i cili ka të bëjë me mosrespektimin e rregullave shëndetësore gjatë një epidemie, shkelësi i dispozitës ligjore mund të gjobitet me para ose të burgoset në kohëzgjatje deri në një vit. Sipas ligjit, bizneset e gastronomisë mund të dënohen me ndalim të punës prej 10 deri në 30 ditë si dhe gjoba deri në disa mijëra euro.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka paralajmëruar sanksione serioze për të gjithë ata që sipas tij, profitin e vendosin mbi shëndetin e qytetarëve.

“Çdo njëri prej nesh paraqet rrezik potencial për përhapjen e virusit dhe për pasoja të mundshme mbi shëndetin tonë. Çdo kush që bën shkelje përballet me sanksione. Policia çdo ditë është në terren dhe jo vetëm që mbyllim dhe prishim festimet familjare, por ngritim edhe padi penale. Do të ketë përgjegjësi për to, nuk do të ketë asnjë tolerancë, kudo që regjistrojmë shkelje të masave për parandalimin e përhapjes së virusit,” – tha Spasovski.

Por, Aleksandar Cvetkovski, aktivist dhe drejtues i shoqatës për bashkëpunim dhe tolerancë civile AGTIS, thotë për Radion Evropa e Lirë, se problemi me rritjen e rasteve me COVID-19, qëndron në mosmenaxhimin e duhur të gjendjes së krijuar dhe jo në shtrëngimin e masave. Ai thotë se shkeljet e masave ndodhin para syve të policisë dhe të inspektorateve përkatëse.

Advertisement

Sipas tij, është e kotë të aplikohet ndalimi i lëvizjes në periudha të caktuara ndërkohë që gjatë ditës, po të njëjtat lokale janë përplot me njerëz, sikurse parqet edhe vendet e tjera ku fare nuk respektohen masat.

“Unë nuk shoh që institucionet po zbatojnë ligjin në një mënyrë të fortë dhe të qëndrueshme, veçanërisht protokollet shëndetësore. Ne shohim se si qytetarë të shumtë lëvizin pa maska. Të rinjtë shoqërohen gjatë ditës, kemi 4 persona në një tryezë prej 60 centimetrash dhe shanset për tu infektuar janë njëqind për qind nëse një person është me sëmundjen COVID-19. Ç’lidhje ka ajo nëse aplikojmë ndalim të lëvizjes pas orës 22.00 apo edhe më herët”, tha Cvetkovski duke folur më tej për mungesë të kulturës elementare të të gjithë shoqërisë, përfshirë dhe institucionet, të cilat sipas tij nuk janë ende të ndërgjegjshme për rrezikun mbi shëndetin e tyre.

“Fakt është se qytetarët janë njësoj si fëmijët, ata bëjnë atë që shohin. Ata shohin sjelljen e institucioneve, policisë dhe disa njerëzve që janë të fuqishëm, e të cilët policia nuk mund t’i dënojë ata. Kur ata shohin këtë atëherë dhe ata vendosin të mos respektojnë vendimet. Të tillë jemi ne, nëse shohin se ligji nuk po zbatohet, atëherë do të bëjnë gjithçka për të mos e respektuar atë,” thotë Aleksandar Cvetkovski, aktivist dhe drejtues i shoqatës për bashkëpunim dhe tolerancë civile AGTI.

Si mosrespektues të masave anticovid në vazhdimësi janë apostrofuar të rinjtë, që sipas institucioneve mblidhen në numër të madh kryesisht në orët e vona të mbrëmjes

Advertisement

Por, Blendi Hodai, kryetar i Unionit të shkollave të mesme, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pretendimet e tilla nuk qëndrojnë pasi edhe para aplikimit të ndalimit të lëvizjes nga ora 22:00, kishte ndalim të punës së lokaleve pas orës 21:00 dhe të rinjtë mbylleshin nëpër shtëpitë e tyre. Problemi sipas tij qëndron në mungesën e forcës së ligjit apo zbatimin e drejtë të ligjit për mbrojtjen shëndetësore.

“Faktori kryesor për mos respektimin e masave qëndron në faktin se nuk dënohen ata që i shkelin rregullat. Pra, kemi standarde të dyfishta me ata persona që edhe i shkelin rregullat edhe nuk dënohen. Sikur të dënohej njëri të tjerët pastaj do të frikësoheshin, pasi do të duhej të paguanin gjoba dhe të përballen me pasoja tjera”, thotë Hodai.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, të mërkurën tha se masat aktuale do të mbeten në fuqi deri në fillim të javës së ardhshme. Të hënën, Komisioni i Sëmundjeve Infektive do të analizoi gjendjen epidemiologjike dhe varësisht të dhënave, do të dalë me propozime për masa të reja shtrënguese./REL/

The post Mungesa e ndërgjegjësimit rritë rastet me COVID-19 në Maqedoni appeared first on Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy