
Ballkani Perëndimor nuk është një problem që duhet menaxhuar, por një rajon i gatshëm për përparim – jo një periferi, por një pjesë thelbësore e së tashmes dhe së ardhmes evropiane, tha Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në fjalimin e tij në panel-diskutimin “Përgjegjësia rajonale për një të ardhme të begatë në Ballkan”, në Forumin e 4-të diplomatik Antalia, i cili mbahet në Antalia, Republika e Turqisë.
Në fjalimin, ministri Mucunski e theksoi integrimin në Bashkimin Evropian si qëllim strategjik të shtetit, ndërsa përparimin e bashkëpunimit rajonal si prioritet kyç të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Mucunski, siç informojnë nga kabineti i tij, e theksoi nevojën për një rrugë të qartë dhe reale drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, si dhe rëndësinë e përgjegjësisë rajonale politike, ekonomike dhe të sigurisë. Në këtë kontekst, ai iu referua edhe tragjedisë në Koçan, duke e theksuar si shembull për rëndësinë e afërsisë me fqinjët dhe fuqinë e solidaritetit.
Mucunski veçanërisht e theksoi rëndësinë e investimit në kapitalin njerëzor, forcimin e konkurrencës së sektorit privat dhe promovimin e zinxhirëve rajonalë të vlerës si një parakusht për rritje të qëndrueshme. Vetëm me këtë qasje, tha ai, mund të parandalojmë ikjen e të rinjve, të inkurajojmë qarkullimin e njohurive dhe të ndërtojmë një ekonomi afatgjatë të bazuar në inovacion dhe njohuri.
E nënvizoi edhe rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një partner i rëndësishëm që siguron mbështetje jo vetëm për sigurinë dhe stabilitetin politik, por edhe për zhvillimin ekonomik të rajonit.
The post Mucunski: Ballkani Perëndimor është një pjesë thelbësore e së ardhmes së Evropës appeared first on Telegrafi.