Komisioni Hetimor për rastin në Klinikën e Onkologjisë kërkon të vazhdojë punën edhe për 30 ditë. Sipas kryetares së komisionit Rashella Mizrahi, kjo është për shkak të daljes së informacioneve të reja lidhur me atë klinikë dhe nevojës për dëgjime shtesë të ekspertëve dhe bartësve të funksioneve publike të mëparshme dhe aktuale. Deri më tani janë intervistuar më shumë se 50 persona.
Ministria e Shëndetësisë për rastin “Onkologjia” i bëri apel Prokurorisë që sa më shpejt të dalë me emër dhe mbiemër. Ndërsa nga Prokuroria reaguan duke thënë po zhvillojnë procedurë para hetimore dhe nuk veprojnë sipas kërkesave të personave të tjerë. Ata theksojnë se prokurorët punojnë me bazë dhe me përgjegjësi, duke respektuar të gjitha afatet ligjore.
“Prokuroria Publike apelon tek politikanët që të përmbahen nga përdorimi i këtij artikulli të ndjeshëm për qëllime politike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërkohë në Klinikën e Neurologjisë kanë mbërritur aparatura të reja. Është një donacion për zbulimin e hershëm të sklerozës së shumëfishtë. Ai do t’i ndihmojë pacientët që të fillojnë terapinë më herët, gjë që do të parandalojë përparimin e sëmundjes.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi gjithashtu blerjen e rezonancës magnetike të re në Klinikën e Neurologjisë dhe rinovimin e plotë të Qendrës Urgjente të Mjekësisë Interne./Telegrafi/
The post Mizrahi kërkon të vazhdohet puna e Komisionit Anketues për skandalin në Klinikën e Onkologjisë appeared first on Telegrafi.