Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski theksoi se Maqedonia vazhdon me modernizimin e Armatës, si pjesë e obligimeve të saj si anëtare e NATO-s. Ai konfirmoi se për vitin 2024 do të ndahet më shumë se 2% e buxhetit për këtë qëllim dhe fokusi i vitit të ardhshëm është në projekte të mëdha, duke përfshirë kontratat për automjete të blinduara të lehta me Shtetet e Bashkuara dhe sistemet PVO.
“Ne do të vazhdojmë të investojmë në Ushtri, e rëndësishme është edhe përkrahja e partnerëve tanë”, tha Misajllovski në konferencën me rastin e 75 vjetorit të NATO-s.
Ai foli edhe për gjendjen e qëndrueshme të sigurisë, por theksoi se Maqedonia duhet të jetë e përgatitur për sfidat e mundshme, si radikalizimi apo valët e imigrantëve, veçanërisht në kontekstin e tensioneve gjeopolitike në rajon.
Misajllovski theksoi rëndësinë e shkëmbimit të informacioneve të sigurisë me partnerët e NATO-s.
Konferencën e organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer dhe Ministria e Punëve të Jashtme e përshëndeti edhe ambasadorja gjermane Petra Drexler, e cila theksoi se NATO është e fortë falë unitetit mes anëtarëve të saj.
The post Misajllovski: Anëtarësimi në NATO forcon sigurinë, 2% e buxhetit për modernizimin e ushtrisë appeared first on Telegrafi.