Këshilli i Bankës popullore mbajti mbledhje të rregullt në të cilën u miratua Plani strategjik i Bankës popullore për periudhën 2022-2024. Plani i Bankës popullore është vendosur nën moton “Banka qendrore e cila me vendime fleksibile, të menduara në mënyrë adekuate dhe me kohë, në kohë të ndryshimeve të shpejta dhe transformimit digjital, kontribuon për standard më të lartë jetësor të qytetarëve përmes krijimit të ambientit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe inkluziv ekonomik”.
“Përmes nëntë qëllimeve strategjike, Banka popullore edhe më tej do t’u përkushtohet avancimit të procesit të zbatimit të politikës monetare, stabilitetit të sistemit banker, funksionimit pa pengesa të sistemeve pagesore, menaxhimit me rezervat devizore, ndërkaq e tërë kjo për shkak të sigurimit të kushteve për shërbime efikase, inovative dhe të sigurta financiare. Njëkohësisht, duke pasur parasysh atë se jetojmë në kohë të ndryshimeve të përshpejtuara në skenën globale, si rezultat i proceseve të globalizimit, digjitalizimit, inovacionit, ndryshimeve klimatike dhe pandemisë shëndetësore globale, Banka popullore e vendosi theksin edhe në këto trende të reja në këto fusha”, informojnë nga Banka popullore.
Në fokus të Planit të ri strategjik do të jenë edhe edukimi financiar dhe inkluziviteti, duke pasur parasysh, siç thonë nga Banka popullore, rëndësinë e rritjes së njohurive për përparësitë e shfrytëzimit të shërbimeve të ndryshme financiare në kohë të inovacioneve teknologjike, si dhe vetëdijes së rritur për rreziqet, që, ndërkaq, do të siguronte përfshirje më të madhe të popullatës dhe ndërmarrjeve të vogla në rrjedhat financiare dhe qasje të lehtësuar drejt financave.
“Njëherit, një nga qëllimet strategjike është edhe zhvillimi i vetëdijes për ndryshimet klimatike dhe ofrimi i kontributit drejt krijimit të ekonomisë “së gjelbër” dhe të qëndrueshme, që do të kontribuonte për avancimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe përmirësim i standardit të tyre jetësor. Me ndarjen e qëllimit strategjik për transparence dhe llogaridhënie, Banka popullore do të vazhdojë me aktivitetet për informim me kohë të të gjitha etniteteve të interesuara për vendimet, aktivitetet, pikëpamjet dhe vlerësimet e veta, të cilat janë me rëndësi të madhe për subjektet ekonomike dhe qytetarët, përfshirë edhe në proceset e sjelljes së vendimeve”, thuhet në kumtesën e Bankës popullore.
Plani strategjik i Bankës popullore të RMV-së, shtojnë nga BP, paraqet kornizë serioze për tre vitet në vijim, në pajtim me të cilën i realizojnë aktivitetet dhe vizionin e tyre për t’u njohur si institucion i pavarur, përgjegjës, profesional, inovativ dhe transparent, i cili gëzon besim dhe kredibilitet të lartë në opinion.
The post Miratohet plani strategjik i Bankës Popullore të Maqedonisë për periudhën 2022 – 2024 appeared first on Telegrafi.