Ministria e Financave hesht për hapjen e kazinos afër çerdhes “Rinia” në Tetovë. Prindërit e fëmijëve, sektori civil dhe Komuna e Tetovës nga ana tjetër thonë se do të pengojnë hapjen e kazinos pranë institucionit parashkollor, shkruan Alsat.
“Fati i keq i yni është sepse një individ, një ministër, apo kushtimisht një deputet që zgjidhet me votat e popullit, e merr të drejtën të vendose në dëm të popullit. Sipas informatave që i kemi, lejen për punë e jep ministria e Financave dhe në këtë objekt është e dhënë nga Ministria e Financave. Ne si Lëvizje Antibixhoz, assesi nuk do lejojmë që të hapet dhe ne do përdorim çdo metodë, mënyrën e protestave, reagimeve në Qeveri dhe ministri që të mos lejohet kjo”, tha Xhemal Abdiu, Lëvizja Antibixhoz.
Me reagim edhe Komuna e Tetovës. Kryetari i Këshillit Besar Durmishi thotë se do të kërkojnë që në propozim/ligjin e ri Komuna të ketë kompetenca lidhur me hapjen e kazinove dhe bastoreve.
“Komuna është e pafuqishme kundrejt këtij fenomeni që është duke ndodhur viteve të fundit. Edhe si parti politike, meqë Ligji tashmë ka kaluar në qeveri dhe do kalojë në parlament, deputetët tanë do kërkojnë që këto kërkesa që kemi si komunë t’i fusin dhe të arrijmë sa më shumë ta izolojmë këtë fenomen të shoqërisë tonë. Përmes deputetëve do e bllokojmë këtë duke kërkuar të plotësohet Ligji i ri edhe me ingerenca të komunës”, u shpreh Besar Durmishi, Komuna e Tetovës.
“Tentuam të marrim qëndrim edhe nga pronari i kazinosë për atë se kur dhe si ka marrë lejen për hapjen e këtij objekti, ndërkohë që Ligji është në diskutim e sipër, megjithatë, hasëm në dyer të mbyllura”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
Propozim ligji për lojërat e fatit i cili ndalon hapjen e kazinove dhe bastorave në afërsi të institucioneve arsimore dhe publike zvarritet prej kohësh. Ndërkaq, ky është rasti i dytë që në Tetovë, po hapen kazino në afërsi të objekteve shkollore. E para ishte ajo tek Universiteti i Tetovës, e cila u bllokua përmes protestave./Alsat/
The post Ministria e Financave hesht për hapjen e kazinos afër çerdhes në Tetovë appeared first on Telegrafi.