
Është normale ta ndjekim situatën në Serbi, do të ishte e papërgjegjshme të mos e ndjekim situatën me fqinjët tanë dhe në bazë të kësaj jemi të përgatitur për sfidat, nëse ka të tilla, kemi përpunuar skenare, por nuk pres përhapje tek ne, thotë kryeministri Hristijan Mickoski.
I pyetur për ngjarjet në Serbi dhe informacionet nga mediat lokale se “disa struktura nga shtetet fqinje të Serbisë, gjoja marrin pjesë në disa skenarë”, Mickoski tha se politika jonë është e qartë, “as nuk duam që ata të ndërhyjnë në punët tona të brendshme, as ne nuk do të ndërhyjmë në punët e brendshme të ndonjë shteti tjetër”.
“Detyrat tona të shtëpisë janë detyrat tona të shtëpisë, ndërsa detyrat e shtëpive të vendeve të tjera janë detyrat e tyre. Nëse dikush kërkon ndihmë nga ne, këshilluese, të çfarëdo lloji, ne jemi këtu në kuadër të ligjeve dhe Kushtetutës së Maqedonisë për të mundësuar një gjë të tillë. Nëse jo, ne edhe një herë do të përqëndrohemi në detyrën tonë, sepse kemi punë për t’i zgjidhur në shtëpi dhe as nuk kemi ambicie, as nuk dëshirojmë të jemi pjesë e punëve të brendshme të ndonjë vendi në botë”, tha Mickoski.
Në kryeqytetin serb sot pasdite mbahet protestë e madhe, e udhëhequr nga studentët në bllokadë, që konsiderohet si kulmi i demonstratave 3,5 mujore për shkak të vdekjes së 15 personave nga shembja e një konstruksioni në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
The post Mickoski: Është normale ta ndjekim situatën në Serbi, por nuk pres përhapje tek ne appeared first on Telegrafi.