
Republika e Maqedonisë së Veriut zhvillon politika makroekonomike të besueshme dhe konsistente të përkrahura nëpërmjet politikës afatgjate të kursit devizor fiks, treguesve më të mirë të menaxhimit në krahasim me vendet e tjera me performancë të ngjashme ekonomike, si dhe përkushtimit për reforma në suaza të procesit të aderimit në BE. Kjo u deklarua nga Agjencia Kreditore “Fitch” në raportin e saj të fundit, e cila gjithashtu ruajti vlerësimin kreditor të vendit BB+ me perspektivë stabile, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave të RMV-së.
Nga atje thonë se Agjencia thekson se në vitin 2024, rritja reale e PBB-së arriti në 2.8%, pavarësisht vështirësive të jashtme dhe se është mbi projeksionet për shkak të shpenzimeve dhe investimeve të fuqishme publike.
“Fitch”-i pret që rritja ekonomike në vitin 2026 të arrijë në 4%, si rezultat i realizimit të investimeve në Korridorin 8 dhe 10d. Në raport thuhet se investimet mbeten të fuqishme, por rritja e dobët e produktivitetit dhe zhvillimet e pafavorshme demografike paraqesin faktorë kufizues për rritjen në periudhë afatmesme.
Ata theksojnë se janë regjistruar flukse hyrëse të fuqishme të investimeve të huaja direkte. Sipas tyre, investimet e huaja direkte neto janë më të lartat në 17 vitet e fundit dhe se ato u rritën në 7.1% të PBB-së në vitin 2024, si rezultat i investimeve të larta në zonat e lira ekonomike. Sipas “Fitch”-it, papunësia mbetet në mënyrë strukturore e lartë për shkak të mungesës së shkathtësive dhe zhvillimit të pabarabartë ekonomik rajonal. Rritja e pagave është e fuqishme edhe në periudhën 2022-2024, mesatarisht në nivel vjetor ajo shënon 13% dhe nuk ka pasur efekt negativ ndaj konkurrencës.
Në raportin e “Fitch”-it thuhet se në vitin 2024 është realizuar deficit buxhetor prej 4.6%, që është më pak nga rishikimi i ribalancit në nivel prej 4.9%, si rezultat i i të hyrave më të larta dhe realizimit të pamjaftueshëm të shpenzimeve kapitale. Në vitin 2025, “Fitch”-i nuk pret ndryshime sa i përket deficitit buxhetor për shkak të vlerës më të lartë të projektuar të shpenzimeve kapitale dhe normalizimit të shpenzimeve për pensionet dhe fondet sociale”, thuhet në njoftim.
Nga atje shtojnë inflacioni në vitin 2024 pritet të jetë mesatarisht 4.2% dhe sipas “Fitch”-it, treguesit kryesorë janë rritja e fuqishme e pagave, rritja e kërkesës së brendshme, së bashku me rritjen e fuqishme të kredisë për sektorin privat.
Vlerësimi kreditor është përpiluar në bazë të analizave të politikave të zbatuara nga vendi. Me të tregohet shkalla e re e investimeve dhe është ndër treguesit kryesorë që investitorët potencialë marrin parasysh gjatë vendimmarrjes së tyre.
The post MF-Maqedoni: “Fitch”-i konfirmoi vlerësimin kreditor BB+ me perspektivë stabile appeared first on Telegrafi.