Mexhiti: Të bëjmë përpjekje për të ruajtur gjuhën dhe identitetin tonë kulturor

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot mbajti fjalim në akademinë solemne “Ditët e Alfabetit” të organizuar nga Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve (ITKSHSH).

Mexhiti tha se “gjuha është përcaktori themelor i tërësisë shqiptare që kalon kufijtë politikë e territorialë dhe që sot homogjenizon kombin shqiptar në tërësi”.

“Që një komb të jetojë ose të mbijetojë, është e nevojshme kodifikimi ose sistemimi i kujtesës kolektive në një formë të organizuar ose, më thjesht, në prova të shkruara që i mbijetojnë kohës. Dhe që këto dëshmi të ruhen, të organizohen në mendime, letërsi, art, koncepte politike e të ngjashme, duhet të ketë një element homogjenizues të organizuar të identitetit kombëtar, e ajo është gjuha. Një gjuhë pa alfabet nuk ka asnjë mënyrë shprehjeje, nuk ka zë, sikur nuk ekziston”, theksoi Mexhiti.

Ai gjithashtu tha se është detyrë e intelektualëve, politikanëve dhe studiuesve të bëjnë përpjekje për të ruajtur gjuhën dhe identitetin kulturor.

Advertisement

“Në këtë kontekst, politikat gjuhësore të institucioneve kanë një rëndësi pothuajse ekzistenciale për mbrojtjen dhe edukimin e identitetit gjuhësor të një grupi etnik, prandaj dua të deklaroj publikisht para jush se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e vendosur të ndërtojë të tilla politika institucionale që do të respektojnë dhe vlerësojnë dallimet gjuhësore dhe do t’i trajtojnë ato si pasuri dhe vlera të shtuara për shoqërinë. Për ta dëshmuar këtë, ne do të mbështesim dhe stimulojmë ngjarje kulturore-artistike, projekte shkencore dhe akademike, të cilat do të ushqejnë diversitetin tonë si një cilësi të çmuar për të cilën jemi të gjithë krenarë”, tha Mexhiti.

Në aktivitetin e sotëm morën pjesë ministra, deputetë, përfaqësues nga ambasadat e SHBA-së, vendeve të BE-së, Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të rajonit.

Në kuadër të shënimit të Ditës së Alfabetit Shqip, sot në Qeveri është mbajtur akademia zyrtare, ndërsa në Kuvend është ndarë çmimi shtetëror “22 Nëntori”.

The post Mexhiti: Të bëjmë përpjekje për të ruajtur gjuhën dhe identitetin tonë kulturor appeared first on Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy