Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, ka deklaruar se prej kur e ka marrë postin e ministrit, para tre muajve, ajo që ka parë në spitale është rrëqethëse.
Në paraqitjen e tij në “KlanMacedonia”, përcjell Telegrafi Maqedoni, ministri Mexhiti tha se departamentin e gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës ka parë instrumente të ndryshkura. Ai tha se ndjen keqardhje për situatën në spitalet e Maqedonisë së Veriut.
“Ndjej keqardhje për ashensorët në Tetovë, kam trashëguar buxhet të sakatuar në ministri, janë shkurtuar mbi 10 milionë euro. Nuk e di unë ata zotërinjtë para meje çfarë kanë bërë. Kam kërkuar që sa më shpejtë së paku të vendoset një ashensor në Tetovë, kam kërkuar edhe në Qeveri, por patjetër duhet të ndiqen procedurat”.
“Ballafaqohemi me situata shumë të rënda. At që e kam parë për tre muaj në postin e ministrit të Shëndetësisë është rrëqethëse. Spitali i Shtipit, i Manastirit nuk i ngjajnë spitaleve. Në Spitalin e Tetovës kemi parë instrumente të ndryshkura. Por me mua si ministër dhe ekipin tim kjo do të ndryshojë”, tha Mexhiti.
I pyetur nëse kanë marrë masa në lidhje me instrumentet e ndryshkura, ai tha se ka marrë masa të menjëhershme, por për shkak të procedurave burokratike nuk janë larguar.
“Pacientët janë operuar me instrumente të tilla. Ndjej keqardhje për këtë. Nëse dërgojmë inspektime tani, gjysma e spitaleve duhet të mbyllen pasi nuk i plotësojnë kushtet. Kam kërkuar ndihmën e kryeministrit për ta zgjidhur këtë situatë”, tha Mexhiti.
Ndryshe, ai gjatë ditës së sotme njoftoi se që nga 1 janari, të gjitha klinikat në vend do të kenë një drejtor të përgjithshëm, premtim që është bërë edhe nga dy paraardhësit e tij, Venko Filipçe dhe Bekim Sali./Telegrafi/
The post Mexhiti: Në Spitalin e Tetovës punohet me instrumente të ndryshkura, gjysma e spitaleve duhet të mbyllen appeared first on Telegrafi.