Ministri i Shëndetësisë në RMV Fatmir Mexhiti, sot ka zhvilluar takim me përfaqësues të Shoqatës së fibrozës cistike.
Në takim siç njoftojnë nga MSH, Mexhiti dhe përfaqësuesit e Shoqatës folën për disa tema aktuale që kanë të bëjnë me pacientët me fibrozë cistike dhe përpjekjet për tejkalimin e tyre.
“Javën e kaluar, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i Republikës së Maqedonisë së Veriut siguroi mjete shtesë për ilaçin “Trikafta” për një numër shtesë të pacientëve me fibrozë cistike. Me këtë buxhet shtesë do të rritet ndjeshëm numri i pacientëve për të cilët Komisioni i ekspertëve do të vendosë që të marrin terapi. Për pacientët që do të trajtohen me ilaçin “Trikafta”, vendos komisioni i ekspertëve i ngritur nga ministri i Shëndetësisë dhe vendimet merren sipas protokollit të përgatitur”.
“Bashkëbiseduesit në takim biseduan edhe për rindërtimin dhe pajisjen e Qendrës për fibrozë cistike në ISHP Institutin për sëmundje të mushkërive te fëmijët, Kozle, Shkup, për të cilën Ministria e Shëndetësisë mori ndihmë financiare nga Republika Popullore e Kinës. Ministri Mexhiti në takim theksoi se Qendra do të jetë objekt bashkëkohor i ndërtuar sipas standardeve evropiane, ku do të ofrohen shërbime bashkëkohore shëndetësore për pacientët me këtë sëmundje, si dhe kushte të shkëlqyera për stafin shëndetësor për të punuar me pacientët”, thuhet në njoftim.
The post Mexhiti: Kemi siguruar fonde shtesë për një numër më të madh të pacientëve me fibrozë cistike që duhet të marrin “Trikafta” appeared first on Telegrafi.