Mësimi me një ndërrim në Tetovë i zbatueshëm, por duhen investime

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Një pjesë e strategjisë për zhvillimin e arsimit 2025-2030 është edhe mësimi me një ndërrim. Tashmë edhe në komunën e Tetovës është grup punues formuar me profesorë, ekspertë të brendshëm dhe profesionistë të fushës. Krahas objektivave tjera që ka kjo Strategji, një pjesë e rëndësishme është edhe investimi në infrastrukturën e objekteve shkollore. Për një periudhë pesë vjeçare parashihet ndërtimi i tre objekteve shkollore që do të mundësojë të zbatohen mësimi me një ndërrim, thonë nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës. Nga ky sektor bëjnë të ditur se në disa shkolla fillore, vitin shkollor 2025/26 mund të fillojë mësimi me një ndërrim.

“Pjesë e objektives është edhe mësimi me një ndërrim dhe mësimin gjithëditor. Tek pjesa e mësimit me një ndërrim, veçse jemi në procedurë dhe shpresojmë se në vitin shkollor 2025/2026, disa shkolla do të fillojnë të aplikojnë mësimin me një ndërrim. Kjo ka të bëjë me fshatrat e viseve malore. Problematike paraqiten shkollat e qytetit që kanë numër të madh të nxënësve siç janë shkollat ‘Istikball’, ‘Liria’, ‘Naim Frashëri’, ‘Kirili dhe Metodi’ si dhe ‘Migjeni’. Por, në Strategjinë e zhvillimit të arsimit është paraparë ndërtimi i tre shkollave të reja, në një periudhë pesëvjeçare, ku këta objekte shkollore të jenë pjesë e shkollave që kanë numër të madh të nxënësve ku do të zhvillohet mësimi në një ndërrim”, deklaroi Validin Ademi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Tetovë.

Kjo vlen për shkollat fillore. Por, gjendja paraqitet më e komplikuar në shkollat e mesme. Në disa shkolla të mesme mund të zbatohet mësimi me një ndërrim, por në disa shkolla është problem. “Do të tentojmë ta implementojmë mësimin me një ndërrim me ndërtimin e shkollës së re të Tekstiles dhe gjimnazit “7 Marsi”, ta adaptojmë mësimin me një ndërrim. Kurse, problem janë shkollat e mesme Ekonomike dhe Gjimnazi ‘Kiril Pejçinoviq’, por edhe kjo mbetet të shihet me investime tjera në të ardhmen”, deklaroi Ademi.

Në ndërkohë, ende mbetet sfidë se a do të mund të implementohet sistemi i mësimit gjithëditor, një sistem i cili një kohë të gjatë implementohet në shkollat e vendeve më të zhvilluara. Kjo është e paraparë edhe në Konceptin e ri të zhvillimit të arsimit për nxënësit prej klasës së parë deri në klasën e tretë. Strategjia për zhvillim të arsimit synon të ndërtohet një sistem arsimor për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror dhe ka disa objektive ku përfshihet përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies. Me këtë rast janë paraparë edhe trajnime për mësimdhënësit që të përgatiten për metodat e reja pedagogjike./Koha.mk/

Advertisement

The post Mësimi me një ndërrim në Tetovë i zbatueshëm, por duhen investime appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy