Mediat online në Maqedoni, “të infektuara” me lajme të rreme

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Vetërregullimi i hapësirës mediale, duhet të mbështetet nga të gjitha palët, pasi kjo do të ndikonte në pastrimin e mediave nga lajmet e rreme, është thënë në një konferencë të organizuar nga Këshilli i Etikës për Media në Maqedoninë e Veriut dhe misioni i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, me temën “Çka solli pandemia”.

“Vetërregullimi i mediave, si një proces, veçanërisht nga mediat online të cilat janë apostrofuar si shkelëse të standardeve gazetareske, është diçka që do një mbështetje të fuqishme”, tha Katerina Sinadinovska, kryetare e Këshillit i Etikës për media.

Ajo ka theksuar se vetërregullimi i mediave online, është një nga veglat më të rëndësishme, sa i përket asaj se cilat media mund të cilësohen si media profesionale.

Pandemia COVID-19, në masë të konsiderueshme ka pamundësuar që gazetarët të kenë informacione kualitative sa i përket punës së institucioneve të shtetit, kanë vlerësuar punonjësit e mediave.

Advertisement

Sefer Tahiri nga Fakulteti i Shkencave të Komunikimit, në Universitetin e Evropës Juglindore, thotë se pandemia ka vënë në pah hendekun mes gazetarëve profesionistë dhe atyre që e kanë keqpërdorur hapësirën mediatike, për shkak të mungesës së një ligji, që do të përcaktonte qartë punën e mediave online. Këto media, jo rrallë herë kanë shpërndarë dezinformata për qëllime dhe interesa të qarqeve të caktuara.

“Në të ardhmen, kjo periudhë (periudha e pandemisë) le të shërbejë si mësim se gënjeshtrat, supozimet e pabazuara dhe parashikimet rreth COVID-19 dhe vaksinës për eliminimin e pandemisë, nuk duhet të jenë pjesë e përmbajtjeve mediatike dhe publiku nuk duhet të manipulohet sepse kjo periudhë e ndjeshme, nuk ishte kohë e klikimeve apo ekskluzivitetit gazetaresk, për shkak se bëhet fjalë për jetën e njeriut”, thotë Tahiri.

Tahiri shtoi se krahas gjetjes së ilaçit kundër COVID-19, sfidë mbetet edhe gjetja e ilaçit kundër lajmeve të rreme.

Ndërkaq, Mirçe Adamçevski, që drejton Komisionin për shqyrtimin e ankesave, në kuadër të Këshillit të Etikës për mediat, tha se lajmet e rreme, kryesisht shpërndahen në mediat prapa së cilave qëndrojnë struktura të fuqishme ekonomike, por edhe politike, të cilët fshihen pas teksteve që janë pa autorë.

Advertisement

“Gjatë punës sonë lidhur me ankesat që kanë të bëjnë me punë joetike të mediave të caktuara, konstatuam se sfidë gjatë kohës së krizës mbetet insistimi i mediave gjatë shkrimit të informacioneve që të thirren në burime zyrtare sepse vetëm në këtë mënyrë do të ulet numri i teksteve dhe raportimeve spekulative”, tha Adamçevski.

Ndërkaq, punonjësi i mediave, Daniell Dimitrievski tha se pandemia e bëri gazetarinë nga një profesion dinamik në një profesion me tendencë që shkon nga pasiviteti, gjë që, sipas tij, i shkon për shtati funksionarëve sepse në masë të madhe u kufizuan mundësitë e gazetarëve që të ndjekin punën e institucioneve.

“Gjatë konferencave online edhe pse ka pasur mundësi që të shtrohen pyetje nga ana e gazetarëve, megjithatë janë paraqitur më shumë kufizime për shkak të kohëzgjatjes së konferencave për shtyp. Veçanërisht në muajt e parë të pandemisë, ishte kufizuar në masë të madhe qasja e gazetarëve tek informacionet kualitative rreth funksionimit të institucioneve”, tha Dimitrievski./REL/

The post Mediat online në Maqedoni, “të infektuara” me lajme të rreme appeared first on Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy