Nga policia e Tetovës njoftojnë se në bazë të përllogaritjeve, dëmi material i shkaktuar në këto aksidente është 18 milion denarë
Për dallim nga vitet e kaluara, kur statistikat e policisë tregonin për shifra të larta të aksidenteve në rrugët e Pollogut, këtë vit shifrat shënojnë ulje. Në uljen e numrit të aksidenteve dukshëm ka ndikuar edhe frekuentimi i vogël i automjeteve, sidomos me mos ardhjen e mërgimtarëve. Rrugët e Tetovës si asnjëherë më parë nuk kanë qenë pa trafik të ngarkuar, sidomos në këtë periudhë. Kjo në masë të madhe ka bërë që edhe të ketë më pak aksidente, sidomos edhe në numër të vogël të viktimave. Nga Sektori për punë të brendshme në Tetovë informojnë se për 13 për qind, në rrugët e dy qyteteve të Pollogut, Tetovë dhe Gostivar, është ulur numri i përgjithshëm i aksidenteve.
“Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, në rajonin që mbulon Sektori për punë të brendshme në Tetovë (SPB), janë regjistruar gjithsej 315 aksidente trafiku. Prej tyre 268 në Tetovë dhe 47 në Gostivar. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është ulur numri i aksidenteve për 13 për qind” thotë zëdhënësi i Sektorit për punë të brendshme në Tetovë, Marjan Josifovski. Ajo që është më e rëndësishme, në statistikat që jep Sektori për punë të brendshme në Tetovë është se ka më pak viktima në rrugët e Pollogut si pasojë e aksidenteve të trafikut. Krahas kësaj, dukshëm më pak janë shkaktuar edhe dëme materiale. “Gjithsej, 179 aksidente kanë përfunduar me pasoja të rënda. Edhe kjo kategori e aksidenteve është ulur për 17 për qind, krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar. Këtë vit, në 6 muajt e parë, gjithsej jetën e kanë humbur 4 persona, tre në Tetovë dhe një Gostivar, kurse vitin e kaluar 7 persona kanë humbur jetën për gjashtë muaj. Gjatë gjysmëvjetorit të parë, gjithsej në aksidentet që kanë ndodhur në Pollog, janë lënduar 348 persona, prej tyre 270 në Tetovë dhe 78 në Gostivar”, thotë Josifovski.
Nga policia e Tetovës njoftojnë se në bazë të përllogaritjeve, dëmi material i shkaktuar në këto aksidente është 18 milion denarë. Vitin e kaluar, për gjashtë muaj, në aksidentet e trafikut në Pollog ishte shkaktuar dëm material në vlerë prej 22 milion denarë. Edhe kësaj radhe, shkaktar i aksidenteve është shpejtësia, mos respektimi i përparësisë së kalimit dhe mos mbajtja e anës në rrugë. Gjatë viteve të kaluara, sidomos në periudhën e verës, nuk kishte ditë që nuk regjistroheshin aksidente trafiku, kurse jo rrallë herë këto aksidente kanë qenë edhe fatale. Por, në uljen e shifrave, gjithashtu ka ndikuar edhe periudha kur në fuqi ishte kufizimi i lëvizjes respektivisht ora policore në Pollog.
Në atë periudhë, pothuajse nuk ishin regjistruar aksidente trafiku dhe kjo ka ndikuar që të ketë shifra pozitive në trafikun rrugor. Por edhe krahas kësaj, Policia e Tetovës këtë javë në rajonin më të gjerë Tetovë – Gostivar filloi aktivitete të planifikuara në kuadër të fushatës edukative në komunikacion, me ç’rast shoferëve u shpërndahen afishe me porosi dhe këshilla për përdorim të obligueshëm të rripit të sigurisë në automjet, në funksion të sigurisë më të madhe të shoferëve dhe bashkëudhëtarëve. Afishet përmbajnë edhe sqarime, kur dhe për çka të përdoren rripat e sigurisë, si dhe përkujtim të sanksioneve ligjore për mosrespektim të këtij obligimi ligjor. (koha.mk)
The post Më pak aksidente trafiku, bilanc pozitiv në rrugët e Pollogut appeared first on Telegrafi.