Pas 12 ditësh bojkot, i cili filloi në ditën e parë të gjysëmvjetorit të dytë, sot maturantët e organizuar nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme po kthehen në mësim. Kuvendi i Përgjithshëm i Unionit të enjten vendosi të pezullojë bojkotin dhe të presë Kuvendin për të gjetur zgjidhje, pasi grupi parlamentar i OBRM-PDUKM-së e parashtroi Propozim ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për arsimin e mesëm.
Javën e kaluar, përfaqësuesit e Unionit patën takime me të gjitha grupet parlamentare dhe presin që do të mbështetet propozimi për të ndryshuar ligjin, i cili do të përmbushë kërkesat e tyre për shkurtimin e provimit të maturës shtetërore dhe në vend të katër, të japin provimin në dy lëndë – gjuhë amtare dhe lëndë në fushën që maturanti planifikon të studiojë.
Kryetari i Unionit të Shkollave të Mesme Blendi Hodai për MIA konfirmoi se maturantët që bojkotuan, sot do të kthehen në mësime. Ai tha se deri në fund të shkurtit ata do të ndjekin mësimin dhe do të presin që Kuvendi të pranojë dhe të votojë kërkesën e tyre, ndërsa nëse kjo nuk ndodhë, ai paralajmëroi se ata do të vendosin tenda para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës
“Po kthehemi në mësim për t’i lënë hapësirë deputetëve për të gjetur një zgjidhje. Ne po presim që Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Sport të shqyrtojë Propozim ligjin. Pas takimeve që kemi pasur në Kuvend, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme është i sigurt se ka mbështetjen e më shumë se 70 deputetëve. Nëse kërkesat tona nuk pranohen dhe votohen deri në fund të muajit, ne do të fillojmë kampingun përpara Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Bojkoti ynë është pasojë e mos dëgjimit për problemet, indikacionet, argumentet dhe propozimet tona konkrete për ndryshimin e provimit të maturës shtetërore të këtij viti. Unioni u lë institucioneve kohë dhe mundësi për të pranuar dhe zbatuar kërkesat tona”, tha Hodai.
Partia opozitare OBRM-PDUKM e paraqiti propozimin për ndryshime në Ligjin për arsimin e mesëm në Kuvend, të hënën e kaluar dhe u bëri thirrje grupeve të tjera parlamentare ta mbështesin atë në mënyrë që të plotësojnë nevojat e maturantëve.
“Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat që ndodhën si pasojë e pandemisë së KOVID-19, duke pasur parasysh faktin se viti shkollor 2020/2021 filloi me një muaj vonesë, kohëzgjatja e orës shkollore prej 30 minutash, programet e shkurtuara, mungesa e mundësisë për praktikë reale, mungesa e kushteve teknike të disa nxënësve, etj., vlerësojmë se kjo pjesë mund të rregullohet duke ndryshuar Ligjin për arsimin e mesëm, i cili do të përcaktojë numrin e lëndëve dhe kohëzgjatjen e vlefshmërisë së këtij Ligji”, theksoi grupi parlamentar i OBRM-PDUKM-së pas paraqitjes së Propozim ligjit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk devijon nga koncepti aktual për maturën shtetërore dhe gjatë kohës së bojkotit bënte vërejtje vazhdimisht se ndryshimet në koncept nuk mund të bëhen shpejtë dhe do të ketë një të ri për vitin e ardhshëm shkollor, duke ftuar përfaqësues të Unionit të Shkollave të Mesme të marrin pjesë në përgatitjen e tij.
Pozicioni i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është se ekziston detyrim ligjor për të mundësuar provimin e maturës shtetërore, sepse mbi 14 mijë maturantë brenda afatit ligjor (fundi i dhjetorit) kanë aplikuar tashmë për maturën shtetërore dhe kanë zgjedhur lëndët, për të cilat do të testohen.
Në nëntor, Qendra Shtetërore e Provimit i kumtoi datat e provimeve në tre lëndët e jashtme (nga 29 maj deri më 14 qershor të vitit 2021), dhe përveç kësaj, maturantët duhet të marrin një tjetër lëndë të brendshme dhe të përgatisin detyrë projektuese. /Shenja/
The post Maturantët e Maqedonisë e ndalojnë bojkotin e mësimit duke pritur vendimin nga Kuvendi appeared first on Telegrafi.