Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut presin që më së voni deri në tetor të publikohet teksti final i kornizës negociuese me Bashkimin Evropian.
Korniza negociuese për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është prezantuar të mërkurën nga Komisioni Evropian, me të cilën caktohen udhëzimet për procesin negociator, i cili nëse do të ketë pajtim nga të gjitha shtetet anëtare, do të mund të fillojë para fundit të këtij viti.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani, tha se bëhet fjalë për një version bazuar ne negociatat e mëparshme me vendet e tjera duke përfshirë për herë të parë edhe metodologjinë e re.
“Ashtu siç pritej në kornizë janë shënuar kriteret e Kopenhagës sikur edhe bashkëpunimi rajonal dhe raportet e fqinjësisë së mirë. Në mënyrë direkte janë theksuar marrëveshjet dypalëshe me Greqinë dhe Bullgarinë nga të cilat priten rezultate të dukshme pas zbatimit të tyre. Më tej, sipas kornizës mbetet detyrimi i plotë për vendin zbatimi i obligimeve nga marrëveshja e stabilizim asocimit, që nënkupton vazhdimësinë e procesit të reformave, harmonizimin e tyre me legjislaturën e BE-së dhe gjithçka tjetër që nënkupton zbatimin e standardeve dhe rregullave të BE-së”, ka deklaruar Osmani.
Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ka deklaruar se njoftimi për miratimin e kornizës negociuese është simbolikë e mirë pasi sipas tij Komisioni Evropian ka përmbyllur detyrimin në bazuar në vendimin e marsit, pikërisht më 1 korrik ditën kur Gjermania merr kryesimin me Bashkimin Evropian, i bindur se gjatë kësaj periudhe do të mbahet edhe konferenca e parë ndërqeveritare.
“Thelbi i kornizës së propozuar të negociatave, i cili, sipas informacioneve të fundit, do të diskutohet në Bruksel javën e ardhshme nga shtetet anëtare në nivel të ekspertëve, është që të sjellë standardet evropiane në vendin tonë. Mbi të gjitha, parimet dhe vlerat demokratike që lidhen me sundimin e ligjit, si dhe reformat tjera të domosdoshme”, ka deklaruar Dimitrov.
Nga opozita kanë theksuar se korniza negociuese nuk duhet parë “si akt të kryer pasi vendi ka ende shumë punë për të bërë deri në finalizimin e qëllimin kryesor, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Nga OBRM-PDUKM-ja kanë thënë përmes një reagimi me shkrim se “pushteti edhe këtë çështje po e keqpërdor për fushatë zgjedhore duke tentuar të gënjej popullin se gjoja vendi po bëhet pjesë e BE-së”.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, thekson nevojën e unifikimit të qëndrimeve mes partive menjëherë pas zgjedhjeve të 15 korrikut, që sipas tij shihen si test për pjekurinë e demokracisë në vend.
“Ne duhet që më 15 korrik menjëherë të japim mesazhin se kemi kapacitet për të organizuar zgjedhje ferr dhe demokratike dhe menjëherë më 16 korrik të nisim konsultimet për formimin e qeverisë së re që të jemi sa më të përgatitur në këtë proces”, ka deklaruar Osmani.
Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE, ishte bllokuar për shkak të kontestit të emrit me Greqinë, i cili është zgjidhur dy vite më parë me çka edhe është zhbllokuar ky proces. Statusin e shtetit kandidat Maqedonia e Veriut e ka marrë në vitin 2005./REL/
The post Maqedonia e Veriut në tetor pret tekstin final të kornizës negociuese me BE-në appeared first on Telegrafi.