Maqedonia e Veriut bashkë me Shqipërinë është në pritje të prezantimit të draft kornizës negociuese të cilën këto ditë duhet ta prezantojë Komisioni Evropian.
Eurokomisari për Zgjerim Oliver Varhelyi dje në panel diskutimin virtual “Anëtarësimi në BE i Ballkanit Perëndimor: Besueshmëri, parashikim dhe udhëheqësi politike”, në kuadër të Forumit Ekonomik Delfi, që u mbajt në Athina, paralajmëroi se në ditët në vijim do ta prezantojnë kornizën negociuese.
Në panelin në të cilin morën pjesë edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev bashkë me kryeministrat e Shqipërisë dhe të Serbisë, Edi Rama dhe Ana Bërnabiq, ndërsa përmes një video porosie në forum foli edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, Varhelyi theksoi se ai është “hap i ardhshëm në procesin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë, pas çka shumë shpejtë do të fillojmë të punojmë në atë në Këshillin e BE-së, me qëllim që vendet anëtare ta miratojnë dhe të vazhdojmë me procesin e anëtarësimit”.
“Në krahasim me tetorin e kaluar, tani kemi metodologji të re për procesin e zgjerimit dhe arritëm të sjellim vendim për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Varhelyi , duke shtuar se për Komisionin Evropian, që nga dita e parë kur ka filluar me funksionin, marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor janë një nga prioritetet më të larta.
Eurokomisari vlerësoi se të gjitha këto përpjekje nuk kanë mundur të ndodhin derisa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk dhanë rezultate. “Ata dhanë rezultate dhe kjo është arsyeja pse u mor një vendim për fillim të negociatave nga ana e Këshillit të BE-së, tha Varhelyi.
Ai shprehu keqardhje që plani investues i madh ekonomik për rajonin ka anulim të vogël për shkak të situatës me koronakrizën, por shfaqi shpresë që të njëjtën do të mund ta prezantojë në fillim të vjeshtës. Megjithatë, tha, arritëm të sigurojmë mbështetje përmes instrumentit për ndihmë financiare në vlerë prej 3,3 miliard euro gjatë krizës, që sipas eurokomisarit, ishte shenjë shumë e rëndësishme se sa janë të përkushtuar drejtë asaj që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Në lidhje me kornizën negociuese me BE-në, zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani këto ditë në konferencë për media deklaroi se sipas informacioneve që i kanë në dispozicion po vijojnë bisedimet për dispozitat të cilat duhet t’i përmbajë metodologjia e re. Korniza, theksoi Osmani, është dokument shumë i rëndësishëm për negociatat, sepse në të përcaktohen parimet sipas të cilave do të udhëhiqen negociatat, thelbi, si dhe procedura të caktuara.
“Për momentin po bisedohet, sepse në këtë fazë e presim draft versionin nga ana e Komisionit, i cili pastaj duhet të shkojë në organet e vendeve anëtare, gjegjësisht të Këshillit në të cilin janë përfaqësuesit e shteteve anëtare që ata t’i thonë pozicionet e tyre dhe interesat e tyre. Informacionet tona janë se për momentin po bisedohet rreth dispozitave të reja të cilat i parasheh metodologjia e re, para së gjithash, në shumicën dhe mënyrën e shfrytëzimit të shumicës në suspendimin dhe avancimin e procesit të negociatave”, theksoi Osmani./AIM/
The post Maqedonia e Veriut në pritje të kornizës për bisedime me BE appeared first on Telegrafi.