Sot në Bruksel filloi skriningu pesë ditor bilateral për Kapitullin 27 “Mjedisi jetësor dhe ndryshimet klimatike” që është pjesë e Klasterit 4 “Agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme”.
Takimi i sotëm u hap me fjalët hyrëse të Zëvendës kryenegociatores me BE-në Drita Abdiu Halili, e cila tha se na presin reforma komplekse për çka si deri më tani do të kemi mbështetjen e BE-së përmes fondeve evropiane, duke shtuar se vlen të bëhen.
“Reformat e këtij kapitulli kanë përfitime të drejtpërdrejta për të gjithë qytetarët, duke pasur parasysh se politika për ambient jetësor të BE-së ka për qëllim të promovoj zhvillim të qëndrueshëm dhe ta mbroj ambientin jetësor për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme”, tha Drita Abdiu Halil.
Fjalën e saj kishte edhe Ministrja për Ambient Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Kaja Shukova, e cila kryeson me ministrinë përkatëse për këtë klaster, duke potencuar se vendi ynë është përkushtuar në harmonizimin legjislaturës nacionale me legjislaturën evropiane, në një kapitull më kompleks Kapitulli 27 –Mjedisi jetësor dhe ndryshimet klimatike, për të cilin është përgjegjës Ministria për Ambient Jetësor dhe Planifikim hapësinor.
Kapitulli 27- Ambienti jetësor dhe ndryshimet klimatike është një nga kapitujt më voluminoz dhe më të rëndësishëm, që kontribuon në mbrojtjen e ambientit jetësor, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm si dhe luftës kundër ndryshimeve klimatike.
Harmonizimi i legjislaturës si dhe implementimi i standardeve të këtij kapitulli do të thotë mbrojtja e natyrës, përmirësimi i cilësisë jetësore të qytetarëve, tërheqja e investimeve në teknologji të gjelbër dhe përkushtim në qëllimet globale të ambientit jetësor. Duke i harmonizuar politikat dhe standardet me ato të BE-së, Maqedonia e Veriut përforcon pozitën e vetë në negociata me BE-në duke kontribuar për të ardhme të qëndrueshme dhe mjedis të pastër ekologjik dhe të shëndetshëm.
Delegacionin shtetëror për këtë kapitull e përbëjnë, përfaqësues nga disa institucione shtetërore: Ministra e Ambientit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë, Inspektorati shtetëror për ambient jetësor, Agjencia për ushqim dhe veterinari, Inspektorati shtetëror sanitar shëndetësor, Agjencia për kadastër, Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim, Enti për punë hidrometeorologjike, Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit si dhe Sekretariati për Çështje Evropiane.
Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Kaja Shukova, sot zyrtarisht do ta nënshkruajë aderimin e Maqedonisë së Veriut në programin LIFE, në prani të kryenegociatores me BE-në, Drita Abdiu Halili
Programi LIFE është instrument financimi i BE-së për aktivitetet e mjedisit jetësor dhe klimatike i themeluar që nga viti 1992. Deri më tani, ky program ka bashkë-financuar më shumë se 5500 projekte në BE dhe më gjerë dhe ka 5.4 miliardë euro mjete financiare. Përmes këtij partneriteti, organizatat publike dhe private të Maqedonisë së Veriut do të mund të marrin mbështetje financiare për projekte dhe zgjidhje inovative për mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike, si dhe qasjet dhe praktikat më të mira që kontribuojnë në një ekonomi neutrale ndaj klimës, rrethore dhe elastike, të cilat mbrojnë dhe ruajnë natyrën.
Pas përfundimit të skriningut për këtë kapitull, mbetet vetëm skriningu bilateral për Kapitullin 15 – Energjetika, e paraparë në gjysmën e dytë të muajit shtator, me çka do të rrumbullakohet skriningu për Klaster 4 “Agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme”. Sipas skrining agjendës së miratuar më parë me Komisionin Evropian deri në nëntor 2023, mbeten edhe 2 klastere nga gjithsej 6, edhe atë Klaster 5 – Resurset, bujqësia dhe kohezioni dhe Klaster 6 – Marrëdhëniet me Jashtë.
The post Maqedonia e Veriut filloi skriningun bilateral për “Ambientin jetësor dhe ndryshimet klimatike” appeared first on Telegrafi.