Maqedonia e Veriut e gatshme t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë zyrtarizuar krijimin e grupeve të punës, përmes të cilave synojnë vendosjen e bashkëpunimit në shumë sfera, përskaj atyre të historisë që të arrijnë një marrëveshje finale për kontestet që kanë bllokuar integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, që u mbajt në Sofje, u shprehën me tone optimiste se pesë grupet e punës do të japin rezultate për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Por, në prononcimet e tyre për mediat, ata folën shumë pak për thelbin e kontestit, që ka të bëjë me identitetin dhe gjuhën maqedonase si dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.

Maqedonia e Veriut, në samitin e Bashkimit Evropian në nëntor të vitit 2020, nuk e mori datën për nisjen e bisedimeve me bllokun evropian, për shkak të vetos bullgare. Sofja kërkon nga Shkupi që të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë maqedonase.

Advertisement

Në takimet e të hënës dhe të martës në Sofje, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se është folur edhe për të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut duke shprehur gatishmërinë për përfshirjen e tyre në Kushtetutë.

“Në Kushtetutën tonë, përveç popullit maqedonas, janë të përfshirë edhe shqiptarët dhe popuj të tjerë, dhe normalisht në rast se ka qytetarë të tjerë që ndihen ndryshe nga të tjerët, mund të përfshihen në Kushtetutë. Por, ky është një proces që kalon përmes ndryshimeve kushtetuese dhe besoj se kjo do të ndodhë në kuadër të ndryshimit të Kushtetutës apo përshtatjes së saj me kriteret evropiane. Ndërsa sa i përket çështjeve tjera që ekzistojnë mes dy vendeve, normalisht se do të bisedohet dhe kur të ketë rezultate, gjithsesi se ato do të bëhen të ditura për opinionin”, tha Kovaçevski.

Kreu i Qeverisë bullgare, Kiril Petkov, foli me tone optimiste se komisionet e historisë të dy vendeve, që sipas tij, janë shprehur të gatshëm për të intensifikuar punën që të ketë rezultate konkrete, sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, edhe Petkov nuk dha detaje konkrete, mbi thelbin e kontestit midis Sofjes dhe Shkupit.

“Përmes memorandumeve dhe iniciativave që i nënshkruam të martën do të kemi avancim të raporteve mes dy vendeve. Fqinjësia e mirë do të vendoset në piedestal… në takimet tona jemi pajtuar për një nivel të ri të punës së komisionit të përbashkët të historisë. Ekspertët e dy vendeve thanë se janë të gatshëm që energjia e re të kalojë në tone konstruktive dhe të ketë rezultate në punë”, deklaroi Petkov.

Advertisement

Kryeministri bullgar Petkov, tha se nuk pret që tensionet në Ukrainë të reflektohen në bisedimeve që po zhvillojnë Shkupi dhe Sofja, pasi dy vendet, sipas tij, po përballen edhe me sfida tjera ndërkombëtare, siç është pandemia e koronavirusit dhe kriza energjetike.

Në mbledhjen e parë të dy qeverive pas zgjedhjes në postet e kryeministrave, Kovaçevski dhe Petkov njoftuan për formimin e grupit të punës që mbulon bashkëpunimin në ekonomi, energjetikë, financa, inovacion dhe zhvillim, investime dhe bujqësi.

Grupi i dytë i punës në fokus do të ketë transportin, infrastrukturën, vetëqeverisjen lokale dhe bashkëpunimin ndërkufitar. Sipas krerëve të qeverive të dy vendeve, grupit i tretë do të merret me integrimet evropiane, politikat e gjelbra dhe qeverisjen e mirë. Grupi i katërt do të përqendrohen në kulturën, arsimin dhe shkencën, turizmin dhe rininë e sportin. Grupi i pestë do të ketë çështjet më të ndjeshme, që në fakt edhe parqet thelbin e kontestit, aspektet historike mes dy vendet.

Nisma për grupet e punës dhe që së pari të diskutohet për bashkëpunimin ekonomik e pastaj për historinë, është e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov. Ai ka thënë se nga këto grupe pret rezultatet konkrete në gjashtë muajt e parë të këtij viti, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me dallimet kryesore mes dy vendeve, për gjuhën, identitetin, historinë dhe të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut./REL/

Advertisement

The post Maqedonia e Veriut e gatshme t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy