Maqedoni, rritja e ndikimit përmes vaksinave

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Vaksinimi për mbrojtje nga koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, ka rritur përpjekjet e shteteve të fuqishme për të shtrirë ndikimin e tyre ndaj atyre shteteve që ende nuk kanë arritur të sigurojnë dozat e para të vaksinave, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bllagoja Markovski nga Forumi Ballkani i Sigurisë, një organizatë kjo që merren me aspektet e sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Maqedonia e Veriut deri më tani ka arritur të sigurojë nga Rusia tremijë vaksina SputnikV dhe tetëmijë vaksina të kompanisë amerikane Pfizer, si donacion nga Serbia. Autoritetet serbe së fundmi kanë dhuruar edhe 100 doza tjera për vaksinimin e gazetarëve, ndërsa ka paralajmëruar edhe disa mijëra për odat ekonomike.

“Po krijohet një konkurrencë jolojale në kuptimin se unë jam i fuqishëm dhe unë mund t’ju ndihmojë dhe me këtë, ju në një afat më gjatë kohor do të vareni nga këto shtete, meqë ju kanë shtrirë dorën kur kishit nevojë”, thotë Markovski duke shtuar se në një situatë të tillë të varësisë Maqedonia e Veriut ka ardhur edhe si pasojë e angazhimit jo të duhur të institucioneve, të cilat përkundër premtimeve e pritjeve të mëdha, nuk bënë “pothuajse asgjë në sigurimin e vaksinave”.

“Sikur vendi ynë të siguronte me kohën vaksinat, sigurisht se nuk do të vinim në një situatë të tillë. Nuk kam asgjë kundër asaj që Serbia na ka dhuruar vaksina, madje duhet falënderuar, por këtu kemi një manifestimi të fuqisë, të një shteti më të fortë dhe më të përgatitur për të ndihmuar shtetet tjera. Sikur të kishte një shpërndarje më të mirë të vaksinave, padyshim se nuk do të vinim në këtë gjendje që të diskutojmë mbi ndikimin dhe fuqinë e shteteve edhe në gjendje pandemie”, thotë Bllagoja Markovski nga Forumi Ballkanik për Siguri.

Advertisement

Ilija Djugumanov, përfaqësues i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, thotë se shëndeti i popullatës është mbi të gjitha dhe se ndihma qoftë ajo edhe në vaksina, është e mirëseardhur dhe nuk duhet të politizohet, por në realitet kjo nuk po ndodh.

Sipas tij, mungesën e reagimit të Bashkimit Evropian për furnizim me vaksina të shteteve që nuk janë anëtare të BE-së, sikur po e shfrytëzojnë shtetet tjera, sidomos Rusia, për të forcuar ndikimin e saj, por edhe perceptimin se ajo përballet me pandeminë më mirë sesa Perëndimi.

“Procesi i vaksinimit gjithsesi se ka hapur një fushë, një terren të ri ku fuqitë e mëdha duan të tregojnë forcën e tyre dhe njëfarë ndikimi të tyre mbi vendet tjera. Konsideroj se procesi i vaksinimit dhe ndihma që ofrohet duhet të pranohet meqë kemi të bëjmë me shëndetin tonë, por pa dyshim se kjo ka hapur debate të ndryshme dhe teori konspiracioni. Por, besoj se BE-ja apo Perëndimi, të cilat nëpërmjet mekanizimit COVAX duhej të furnizonin vendet tjera me vaksina, sikur i kanë lënë golin e hapur Rusisë, e cila ka shfrytëzuar këtë situatë për të rritur ndikimin e saj”, thotë Djugumanov.

Një hulumtim i realizuar nga Këshilli Euroatlantik i Maqedonisë së Veriut, ka nxjerrë të dhënat se mbi 30 për qind e qytetarëve, ardhja e vaksinave ruse e konsiderojnë i triumf të diplomacisë ruse, e cila sipas tyre po përballet me më shumë sukses se vendet tjera me pandeminë. Sipas Këshillit Euroatlantike, kjo tregon se ndikimi rus është në rritje dhe se në këtë kanë ndikuar edhe lajmet e rreme, në veçanti ato mbi gjoja rritjen e numrit të viktimave vetëm në shtetet perëndimore.

Advertisement

Mersel Bilalli, njohës i çështjeve ndërkombëtare dhe ish-deputet në disa përbërje parlamentare, thotë për Radion Evropa e Lirë se përpjekje për shtrirje të ndikimit qoftë edhe përmes vaksinave mund të ketë nga shtete të caktuar, por sipas tij bëhet fjalë për një përpjekje afatshkurtër, meqë pandemia sipas tij nuk do të arrijë të ndryshojë aspektet gjeostrategjike.

“Gjeopolitika e vaksinave nuk është afatgjate, pasi ajo që është ekonomike, e informacionit e lidhjeve, ajo mund të mbajë gjatë, por jo edhe politika e vaksinave që mund të jetë e momentale dhe kaluese. Mendoj se shumë po dramatizohet gjeopolitika e vaksinave pasi shumë me rëndësi është të gjendet ilaçi dhe pastaj shumë segment të tjerë që duhet të kombinohen në aspekt të interesave reciproke gjeopolitike. Pra, unë nuk do ta kisha ndërlidhur çështjen e vaksinave si diçka mes jetës dhe vdekjes për aspektet gjeopolitike”, thotë Bilalli.

Institucionet në Maqedoninë e Veriut thonë se po ndjekin situatën jo vetëm lidhur me pandeminë, por edhe pasojat e saj mbi aspektet e sigurisë. Erolld Musliu, drejtor i Agjencisë së Zbulimit në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se prioritet po i jepet shkëmbimit të informacioneve me aleatët për pandeminë në nivel global, që kanë potencial destabilizues dhe ndikim ndaj sigurisë kombëtare./REL/

The post Maqedoni, rritja e ndikimit përmes vaksinave appeared first on Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy